MPJ përkrah fuqishëm Raportin e Misionit e OKB-së për Siri
Prishtinë, 17 shtator - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përkrah fuqishëm mbështetjen ndërkombëtare rreth Raportit të Misionit Inspektues të OKB-së në Siri, të publikuar dje nga kryeinspektori Ake Sellstrom.
Më pak se një muaj më parë, në sulmin kimik më mizor të shekullit 21, më shumë se një mijë persona të pafajshëm u vranë në rrethinë të Damaskut nga regjimi i Al-Assadit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dënuar ashpër përdorimin e armëve kimike dhe ka bërë thirrje që regjimi kriminal i Al-Assadit të mbahet përgjegjës për krimet e bëra ndaj popullsisë civile.
MPJ i bën thirrje Sirisë që të respektojë në përpikëri dhe pa ekuivoke Marrëveshjen Kornizë për Shkatërrimin e Armëve Kimike, të negociuar në Gjenevë. Zbatimi i marrëveshjes kornizë ofron një qasje konstruktive për eliminimin e armëve kimike të Sirisë në mënyrë transparente, dhe me hapa konkret që duhet të ndërmerren shpejt.
MPJ përsërit qëndrimin e saj se Marrëveshja Kornizë duhet të pasohet shpejt dhe në mënyrë të vendosur me një Rezolutë obliguese dhe të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit bazuar nën Kapitullin VII të OKB-së, në mënyrë që të përforcojë dhe implementojë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për shkatërrimin e programit të armëve kimike të Sirisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës rikonfirmon se Kosova mbetet e përkushtuar për të mbështetur fundin e konfliktit tragjik në Siri dhe mbështet përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim.
Republika e Kosovës që nga fillimi ka mbështetur vullnetin dhe kauzën e popullit sirian për liri dhe demokraci.