19 Maj 2024

MPJ organizon vizitën e deputetëve kosovarë në Sllovaki

Prishtinë, 5 mars - Sot për në Bratisllavë të Sllovakisë u nisën një grup prej 12 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një vizitë zyrtare të organizuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së madhe, Ambasadën e  Austrisë si dhe Këshillin Britanik.

Vizita është organizuar në kontekst të projektit KSTalksEu që synon rritjen e interaksionit në diplomaci publike, kulturore dhe parlamentare të institucioneve, aktivistëve dhe shoqërisë civilë kosovare me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësoi se kjo vizitë është e rëndësishme, sepse është garantuar një nivel i lartë i pritjes dhe ky lloj shkëmbimi hyn në thelb të diplomacisë publikë të Ministrisë së Jashtme, ndërsa Arjeta Emra nga British Council ka falënderuar deputetët për gadishmërinë që të bëhen pjesë e një projekti që synon rritjen e interaksionit të Kosovës me shtetet jo-njohëse, në kuadër të programit të zhvilluar nga Këshilli Britanik.

Deputetët do të takohen me partitë e ndryshme sllovake, me liderët e Qeverisë dhe opozitës, me Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Sllovakisë, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Miroslav Lajcak, me grupin e Eurodeputetëve të udhëhequr nga Eduard Kukan si dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile dhe medieve.

Synimi është të rritet interaksioni dhe njohja e dyanshme e proceseve në të cilat po kalon Kosova si dhe sigurimi i përkrahjes së mëtutjeshme të Sllovakisë në proceset integruese eruopiane të Kosovës.

Vizita e deputetëve, në të cilën janë të përfaqësuar të gjithë partitë politike në pozitë dhe opozitë, bëhet në një moment kur Kosova ka përftuar eksperiencë lëvizjesh pozitive në komunikimin me Sllovakinë, prej vizitës së ministrit Hoxhaj në Bratisllavë e deri tek ekstradimi i personave të kërkuar në Sllovaki nga organet e ligjit të Kosovës.

Projekti KSTalksEu tashmë ka mundësuar shkëmbimin e mbi 150 diplomatëve, gazetarëve, aktivistëve dhe deputetëve nga Kosova dhe 5 shtetet e BE-së në 18 muajt e fundit, ndërsa këtë vit tashmë ka dërguar një delegacion të shoqërisë civile në Greqi dhe Rumani ndërsa priten edhe vizita të tjera në këto shtete.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)