MPJ ndërprenë marrëdhëniet e punës për 11 punonjës
Nder emrat e shkarkuar janë Shota Bukoshi, vajza e Bujar Bukoshit, e cila ka mbajtur pozitën e këshilltares së ambasadës së Kosovës në Berlin.
Sipas burimeve janë shkarkuar edhe Blerim Canaj, që mbante pozitën e konsullit në ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Bahrije Hoti e cila ka qenë shefe e konsullatës së Republikës së Kosovës në Bern.
Të shkarkuar janë edhe Adnan Dragaj dhe Enver Buçaj të cilët kishin marrë pozita në kohën kur MPJ-në e drejtonte Enver Hoxhaj.
Po ashtu, është shkarkuar edhe Adnan Jakupi, vëllai i këngëtares Leonora Jakupit, i cili kishte pozitën e këshilltarit në MPJ.
Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri.