MPJ fillon me botimin e buletinit informativ
Prishtinë, 16 nëntor - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka lansuar numrin e parë të fletushkës "Kosovo's New Diplomat". Buletini dymujor është menduar të jetë edhe një kanal tjetër i komunikimit të rregullt ndërmjet MPJ-së dhe qytetarëve të huaj që kontaktojnë Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, si dhe mysafirët e Ministrisë.
Buletini botohet vetëm në gjuhën angleze, fillimisht në tetë faqe, dhe është prezent në tri formate, si fletushkë e shtypur, pdf format dhe në ueb faqen e MPJ-së. Përmbajtja e numrit të parë është e fokusuar në një intervistë të Ministrit Hoxhaj, sukseset e Ministrisë së Integrimeve Evropiane si dhe rubrikat që mëtohen të jetë të përhershme, si intervista me diplomatë që shërbejnë në Kosovë, lajmet nga ambasadat kosovare dhe prezantimi i diplomatëve tanë në botë dhe lajme të tjera nga qarku diplomatik, ku është Kosova e pranishme.
Kosovo's New Diplomat është iniciuar fillimisht si pjesë e projektit divers dhe të rëndësishëm KS TALKS EU të Këshillit Britanik, të përkrahur nga MPJ dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
Projekti është dedikuar si ndihmesë Ministrisë së Jashtme, shoqërisë civile dhe iniciativave që janë të angazhuar në avancimin e dialogut evropian për Kosovën dhe përdorimin e diplomacisë publike në avancimin e pozitës ndërkombëtare të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.