MPJ dënon sulmin mbi misionin amerikan në Bengazi të Libisë
Prishtinë, 12 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ka ngushëlluar Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pas sulmit mbi misionin amerikan në Bengazi të Libisë, ku bëhet e ditur se kanë mbetur të vdekur Ambasadori amerikan Christopher Stevens, Zyrtari i Shërbimit të Jashtëm, Sean Smith dhe dy njerëz të tjerë.
Në telegram, Ministri Hoxhaj shpreh pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë lajm, duke theksuar solidaritetin e plotë të institucioneve dhe popullit të Kosovës me popullin dhe autoritetet amerikane si dhe me familjarët e viktimave të këtij sulmi terrorist.
Në telegram, Ministri Hoxhaj e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme këtë sulm të tmerrshëm të kryer mbi misionin amerikan, duke shprehur besimin se kryerësit e tij do të gjenden dhe të marrin ndëshkimin e merituar.