MPB: Raporti i DASH është objektiv
Prishtinë, 21 qershor - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasha Rashiq mbajti sot një konferencë për media, lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikim me qenie njerëzore.
Zëvendësministri Rashiq, theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme e mirëpret raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili është publikuar dje, lidhur me situatën në Kosovë, sa i përket luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Raporti është objektiv dhe ka gjëra të cilat mund të përmirësohen dhe disa veç janë përmirësuar që nga dita e përpilimit, deri ne ditën e shpalljes së raportit.
Ne kemi arritur të analizojmë mirë raportin dhe mund të ju them se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi të vendosur që me të gjitha forcat dhe mjetet në mënyrë institucionale të luftojmë kundër kësaj dukurie, e cila drejtpërsëdrejti cenon dinjitetin njerëzor, tha zëvendësministri Rashiq.
Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasa Rashiq, tha se qëllimi Qeverisë së Kosovës është që ti mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendi të jetë i sigurt.
Kosova është gjithnjë burim, vend transit i mundshëm dhe destinim i trafikimit me qenie njerëzore.
Numri më i madh i viktimave të trafikimit në Kosovë janë viktima me qëllim të eksplaitmit seksual, por gjithashtu dhe eksplatimit në punë, por është edhe një dukuri që po vërehet kohëve të fundit, ajo e fëmijëve që kërkojë lëmoshë.
Ne kemi bazën ligjore, ku ekzistojnë dokumente strategjike dhe operative dhe ne merremi me aktivitete të përditshme duke u përpjekur ti përmbushim objektivat tona të parapërcaktuara. Do të vazhdojmë me gjitha kapacitet tona të cilat gjithnjë e më tepër jemi duke i forcuar. Në këtë aspekt ekziston edhe dimensioni politik, sepse lufta kundër kësaj forme të krimit të organizuar ndërlidhet edhe me integrimet evropiane, liberalizimin e vizave etj, theksoi Rashiq
Zëvendësministri Rashiq tha se Qeveria e Kosovës ka arritur që të përmbush të gjitha standardet, por janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të reflektohet edhe në këtë raport. Gjithashtu, sa i përket rehabilitimit të viktimave të trafikimit janë bërë përparime dhe është krijuar një sistem i funksionimit të strehimoreve të caktuara, ku strehohen viktimat dhe pas rehabilitimit rikthehen në jetën normale.
Ajo me çka mund të krenohemi, që përmendet në raport, është se janë duke u bërë përpjekje në parandalimin e kësaj dukurie. Përmes fushatave të ndryshme, përmes institucioneve përgjegjëse jemi duke ngritur nivelin e vetëdijesimit të qytetarëve në lidhje me trafikimin me qenie njerëzore dhe kështu zvogëlojmë numrin e viktimave të mundshme,- tha Rashiq
Zëvendësministri Rashiq, vuri në dukje se ajo që deri diku është negative në raport, është procedimi i lëndëve të atyre që janë të përfshirë në trafikim, si kryes të veprës dhe të përshirë në vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore. Janë bërë disa përparime në këtë aspekt, gjykatat janë duke bërë punën e tyre, por proceset gjyqësore zgjasin më gjatë se periudha e raportimit.
Qeveria e Kosovës ka përpiluar Kodin e ri penal, që do të kaloj në Kuvendin e Kosovës, ku parashihen edhe dënimet që drejtpërsëdrejti i referohen çështjes së trafikimit me qenie njerëzore.
Në sistemin e rankimit të shteteve sa i përket përmbushjes së kritereve, Kosova është në një nivel me një numër të konsiderueshëm të shteteve anëtare të BE-së dhe disa edhe i tejkalon.
Sidoqoftë Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të arrijë maksimumin për të lëvizur në pozitën e parë dhe të përmbushen të gjitha kriteret sa i përket eliminimit të trafikimit.