MPB mban takimin e katërt të partneritetit për migrim
Prishtinë, 28 janar - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i katërt i partneritetit për migrim mes delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Republikës së Zvicrës dhe Principatës së Lihtershtajnit.
Në këtë takim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadorja e Republikës së Zvicrës në Kosovë, Krystina Marty dhe ekspertët e fushës të tre shteteve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, theksoi se rëndësia e bashkëpunimit në fushën e migrimit është e ndërsjellë pasi kemi lëvizje të qytetarëve në mes shteteve tona.
\"Ne jemi të interesuar që kjo lëvizje të bëhet në kuadër të normave dhe rregullave në fuçi dhe që sa më shumë që është e mundur të lehtësojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.\"
Por veçanërisht më gëzon fakti se tani po fillojmë diskutimet për modalitetet e migrimit qarkor dhe mundësive të para për punë sezonale të të rinjve tanë në Zvicër dhe Lihtershtajn, tha ministri Rexhepi.
Në këtë takim u diskutuan temat e ndërlidhura për bashkëpunim policor mes tri vendeve, me qëllim të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Po ashtu u diskutua për procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar në Kosovë dhe për çështjen se si është duke u realizuar banimi social.
Një temë shumë e rëndësishme që u diskutua është edhe mundësia e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës në Republikën e Zvicrës dhe në Principatën e Lihtershtajnit, ku u kërkua specifikimi i profileve që këto vende kanë nevojë, në mënyrë që të dërgohen qytetarët kosovarë për të punuar në këto dy vende. Po ashtu u shikua mundësia e realizimit të projekteve kulturore sa i përket diasporës shqiptare në këto vende.
Gjatë diskutimeve u hapë rruga për nënshkrimin e një marrëveshje policore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Zvicrës dhe marrëveshjes për ri-pranim mes Republikës së Kosovës dhe Principatës së Lihtershtajnit.