MPB kërkon mirëkuptim për vonesat në gjendjen civile
Prishtinë, 21 shkurt - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes një komunikate për media ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Kosovës për vonesat në Zyrat e gjendjes civile.
Sipas MPB-së, pas verifikimit që bëhet vetëm një herë, qytetarët do të kenë mundësi që të marrin çertitikatat në të gjitha komunat e Kosovës, pavarësisht se ku janë të regjistruar.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas implementimit dhe futjes në funksion të Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile, mund të ketë vonesa gjatë kryerjes së shërbimeve për herë të parë tek Zyrat e Gjendjes Civile nëpër komuna, mirëpo kërkojmë mirëkuptim pasi është proces i nevojshëm dhe shumë i domosdoshëm për verifikimin e të gjitha të dhënave të qytetarëve, më qëllim të krijimit të një regjistri sa më të saktë të të dhënave, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Sipas MPB-së, realizimi i këtij projekti dhe verifikimi i të gjitha të dhënave për qytetarët, përveç që është i rëndësishëm për vendin, është edhe njëri ndër kriteret e nevojshme në procesin e liberalizimit të vizave, andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj faze.
|Ministria e Punëve të Brendshme para së të lëshohet regjistri qendror i gjendjes civile, ka trajnuar për jë muaj, rreth 480 zyrtarë komunal të gjendjes civile për tu adaptuar me këtë sistem. Megjithatë pavarësisht vështirësive në ditën e parë, në dy ditë e fundit ka përmirësime. Për tre ditë në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë lëshuar rreth 4800 ekstrakte të lindjes, thuhet në komunikatën e Ministrisë.