MPB dënon incidentin në stadiumin e Kaçanikut
Prishtinë, 25 nëntor - Ministria e Punëve të Brendshme dënon incidentin e ndodhur me datë 23.11.2011, në stadiumin e qytetit Besnik Beguca në Kaçanik, gjatë zhvillimit të ndeshjes futbollistike ndërmjet KF Lepenci nga Kaçaniku dhe KF Drita nga Gjilani, me çrast disa individë kishin vendosur një pankartë që përmbante gjuhë të urrejtjes, si dhe duke djegur flamurin e Republikës së Maqedonisë.
Policia e Kosovës është duke hetuar rastin dhe pas analizës së informacioneve dhe dëshmive faktike, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për vënien para organeve të drejtësisë të personave të përfshirë në këtë akt jo civilizues.
Arenat sportive duhet të shërbejnë për zhvillimin dhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe jo për të shprehur bindje politike dhe aq më pak urrejtje ndër-njerëzore.
Ftojmë të gjithë dashamirët e sportit në vendin tonë të ndjekin shembullin e sportdashësve në vendet perëndimore për të përkrahur skuadrat e tyre dhe jo të ndjekin shembullin e grupeve të tifozëve nga disa vende të rajonit të cilët përmes aktiviteteve sportive shprehin mesazhe politike.