Mosuniteti i opozitës degradon pozitën e Kosovës në bisedimet me Serbinë
Prishtinë, 4 nëntor - Partia Nacionale Demokratike Shqiptare e brengosur, por e bindur, konstaton se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë Qeveri që kemi sot, por ata, sidomos ata që nuk kanë votuar për partitë që e bëjnë këtë koalicion qeverisës, nuk e meritojnë as edhe këtë opozitë që e kemi aktualisht.
Partia Nacionale Demokratike Shqiptare konsideron se opozita është duke i humbur disa mundësi shumë të rëndësishme, shfrytëzimi i të cilave do ta forconte pozitën e Kosovës në dialog me Serbinë, ashtu sikundër konsiderojmë se mu ky mosunitet i opozitës vazhdon ta amortizoj çdo lloj veprimtarie opozitare që mund të bëhet në të mirë të shëndetit demokratik të Kosovës.
Sikur të kishim një opozitë unike dhe të fortë në Kosovë, gjë që nuk e kemi, përfaqësuesi i opozitës unike në Kosovë, i cili nuk ekziston, do të takohej ndaras edhe me zonjën Clinton, edhe me sekretarin britanik Wiliem Hage edhe me të gjithë të tjerët që vizituan Kosovën. Sikur të ishte kështu të gjitha brengat, kërkesat dhe vërejtjet e opozitës, çoftë për dialogun me Serbinë, çoftë për këtë Qeveri të cilën askush në Kosovë nuk e meriton, do të merreshin më seriozisht dhe përfitimet për shëndetin demokratik të Kosovës do të ishin larg më të ndjeshme.
Në vend se të flitet për bashkërendimet opozitare kundër kësaj Qeveria, më shumë po flitet e përflitet për risitë që do ti sjell një anëtar i ri i Parisë Demokratike, që fundja zor se mund të sjell ndonjë gjë produktive sepse është i brumit të njëjtë me këta qeveritar. Në vend se të flitet për veprimet opozitare unike në Kuvend e nëse është e nevojshme edhe në rrugë, më shumë po flitet se si aktualisht një parti jo e madhe opozitare do ti bashkohet koalicionit aktual edhe pse me këtë, nuk ka kurrfarë gjasa se mund të ndryshonte diçka përmbajtjesore.
Në fund ne duhet të sugjerojmë, por edhe të kërkojmë që partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, për hirë të një jete më të mirë të qytetarëve të Kosovës, për hirë të një stabiliteti më të qëndrueshëm të Kosovës, duhet ta tejkalojnë vetveten, duke qenë fleksibile e jo të ngurta me njëra tjetrën, duke u prirë nga një tolerancë vëllazërore e jo refuzim paranojak dhe duke u marrë vesh edhe për metodat e veprimit.
Përndryshe kjo Qeveri do të vazhdoj edhe gjatë edhe shumë gjatë.