Mosnjohja nga 5 shtete të BE-së, vështirëson integrimin
Vizita e këtij delegacioni , kryesohej nga Ignacio Molina nga Spanja, ndërsa ishte organizuar nga \"British Council\".
Në përbërje të delegacionit ishin edhe Sanuel Arbe nga Sllovakia, Marian Chiriac nga Rumania, Ahmet Sözen nga Qiproja etj.
Në fjalën e tij, kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë sfidave të Kosovës dhe rezultateve të arritura që nga Pavarësia e deri në ditët e sotme.
Ai theksoi se Republikën e Kosovës, e cila ka reflektuar stabilitet në Rajon, tashmë e kanë njohur 85 shtete , ndërsa mosnjohja e pavarësisë nga 5 shtete të BE-së, vështirëson procesin drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.
Në këtë frymë kryetari i Kuvendit shprehu kërkesën para anëtarëve të delegacionit që edhe këto shtete ta njohin pavarësinë e Kosovës në të mirë të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në vijim kreu i legjislativit të vendit i njoftoi mysafirët me përbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se edhe komunitetet pakicë janë të përfaqësuara denjësisht në Kuvend.
Ato, po kështu janë të përfaqësuara edhe në Qeverinë e Kosovës, ku kanë poste ministrore tre serbë dhe një turk.
Duke folur për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, kryetari Krasniqi përmendi sundimin e rendit dhe të ligjit, çështjen e veriut, zhvillimin ekonomik, ndërsa në planin ndërkombëtar, anëtarësimin në OKB.
Anëtarët e delegacionit falënderuan kryekuvendarin Krasniqi për këtë pritje dhe informacionin e gjerë që u ofroi. Ata me këtë rast shtruan edhe disa pyetje lidhur me realitetin kosovar.
Ndërkaq, ambasadori Alexandros Mallias nga Greqia u shpreh se megjithëse Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën, ajo ka organizuar një konferencë në Kosovë për investime, duke theksuar pastaj se të gjithë e dinë se Kosova është e pavarur dhe se nuk ka kthim prapa.