Molliqaj: Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë
Prishtinë, 9 janar - Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk do ta ndalë opozitën në kërkesën e saj për rrëzimin e Qeverisë. Madje, Gjykata e ka forcuar bindjen që të vazhdohet me protesta deri në fund.
Kështu ka deklaruar në intervistën dhënë Zërit sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, i cili aktualisht gjendet në arrati.
Ai ka thënë se kjo protestë e sotme do të jetë më e madhja që organizon opozita dhe synon tia kthejë Kosovës demokracinë dhe lirinë, që pushteti aktual ia ka cunguar.
Sidoqoftë, Molliqaj duke folur për opinionet e faktorit ndërkombëtar, të cilët i kanë mbështetur këto marrëveshje, ka thënë se deklaratat e tyre kanë qenë antidemokratike dhe u ka bërë thirrje që të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Ndërkohë, duke folur për zgjedhjet si opsioni i vetëm Molliqaj ka thënë se opozita edhe atë sfidë do ta kalojë së bashku.