Mitrovicë, OSBE-ja liron objektin për nevoja të komunës
Mitrovicë, 2 shkurt - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti të martën në takim drejtorin e qendrës rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Bernd Burwitz, me të cilin bisedoi për hapat e ndërmarrë nga drejtuesit e OSBE-së për lirimin e objektit ku kanë qenë të vendosur që prej përfundimit të luftës.
Kryetari Kastrati, ka përsëritur nevojën e madhe që ka komuna për sistemimin e institucioneve të ndryshme lokale.
Në anën tjetër, drejtori i qendrës rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Bernd Burwitz, sqaroi se janë në proces të punës për lirimin e atij objekti për nevoja të komunës.
Tashmë shumicën e gjërave nga zyret i kemi bartur dhe deri javën tjetër shpresojmë se do të përfundoj gjithçka.
Ai tha se përkundër motit të ftohtë edhe gjatë këtyre ditëve nuk e kanë ndalur punën për përgatitjen e zyrave të reja në objektin tjetër ku do të vendosen.
Në këtë takim ai vlerësoj edhe bashkëpunim e mirë me komunën dhe shprehu besimin se ky nivel i bashkëpunimit do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Ndërsa kryetari Kastrati, e ka falënderuar drejtorin rajonal të OSBE-së për mirëkuptimin, duke e cilësuar këtë si hap si mundësi për sistemin e bibliotekës Latif Berisha, pasi që objekti ku është e vendosur tashmë është privatizuar.
Gjithashtu kryetari përmendi si çështje me rëndësi edhe lirimin e hapësirës përreth atij objekti që do të ndodh pas largimit të rrethojave.
Ndryshe për largimin e rrethojave përreth objektit të OSBE-së, UNMIK-ut dhe UNHCR-së ishte marrë vendim edhe në Kuvendin e Komunës.
Deri me tani vetëm UNHCR-ja ka larguar rrethojat prej hapësirave publike, ndërsa UNMIK-u nuk ka lëvizur edhe pse kishin premtuar se deri në fillim të këtij viti do të lironin ndërtesën e ish-Jugobankës.
Kryetari Kastrati, theksoi se është një numër i vogël i punëtorëve që punon në UNMIK dhe që mbajnë të bllokuar atë ndërtesë të madhe, përderisa shumë institucione tjera në Mitrovicë, si policia etj, janë duke u ballafaqur me probleme te mëdha si pasojë e mungesës së objekteve të tyre.
Ua kemi ofruar të gjitha mundësitë, parkingjet etj, por ende nuk kanë treguar vullnet të mirë.