Mitrovicë, 5 persona me aftësi të kufizuar punësohen në komunë
Mitrovicë, 18 tetor - Në kuadër të hapjes së fushatës Tetori-muaji i mundësive të barabarta profesionale për personat me aftësi të kufizuar, komuna e Mitrovicës ka angazhuar për pesë ditë pesë persona të kësaj kategorie në punët e administratës, të cilët do të paguhen nga 10 euro në ditë.
Zyrtari i njësisë për të drejtat e njeriut, Fitim Rama, tha se qëllimi i kësaj fushate është promovimi i mundësive të barabarta profesionale për personat me aftësi të kufizuar dhe lobimi për mundësi të barabarta në punësim. Në këtë kontekst, ai përmend edhe eliminimin e barrierave, të cilat e pengojnë pjesëmarrjen e tyre ne jetën e përditshme.
Rama thotë se komuna e Mitrovicës, për të dytin vit me radhë, në kuadër të kësaj fushate punëson nga pesë persona me aftësi të kufizuar, të cilët shpërndahen në Drejtorinë e Administratës. Ky aktivitet i komunës bëhet me qëllim të ngritjes së vetëdijes se personat me aftësi të kufizuar mund të japin kontributin e tyre dhe të integrohen në institucionet shtetërore.
Sabri Qabra, një nga këta persona të angazhuar në këtë projekt, thotë se kjo është e mirëseardhur, meqë personat me aftësi të kufizuar, përveç problemeve të tjera përballen me gjendje të rëndë sociale. Ka shumë persona me aftësi të kufizuar që mund të punojnë, mirëpo numri i atyre që janë ta angazhuar në punë është simbolik.