Mitrovica ndër komunat me transparencë më të lartë
Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, tha se gjatë takimit që është mbajtur në Prishtinë me kryetarët e të gjitha Komunave, është diskutuar për raportin në fjalë, ku Komuna e Mitrovicës është përmendur në shumicën e rasteve në kontekst pozitiv, ndonëse nuk janë përfshi edhe disa punë të mirë që janë kryer. Edhe pse në raport shihet mungesë e informatave për disa punë që janë kryer, në përgjithësi Komuna vlerësohet pozitivisht, tha Kamberi.
Në mbledhjen e bordit u diskutua për mosfunksionimin efikas të disa komisioneve, të themeluara nga Kuvendi i Komunës, Bordi apo kryetari i komunës, për shkak se anëtarët e komisioneve nuk duan të angazhohen pasi që nuk paguhen për këtë punë që e bëjnë.
Nënkryetari Kamberi, tha se një problematikë të tillë e kanë paraqitur tek MAPL-ja edhe komunat tjera, duke kërkuar nga kjo ministri që së bashku me Ministrinë e Financave të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që komisionet të bëhen funksionale dhe të kryejnë punët për çka obligohen.
Drejtori i financave, Nysret Maxhera, tha se kjo nuk ka bazë ligjor, prandaj edhe nuk është zbatuar praktika që ka qenë në mandatin e kaluar, për çka komuna ka marrë vërejtje, si nga Ministria e Financave, ashtu edhe nga auditorët.
Drejtori i Ambientit, Enver Uka, e ka njoftuar bordin për përgatitjen e draft-projektit për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, me çka parashihet rregullimi i bankinave dhe shtratit të lumit tek Lagja 2 Korriku.