Mitrovica intensifikon bashkëpunimin me komunat në rajon
Prishtinë, 15 janar - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë ndërmarrë një nismë për rritjen e bashkëpunimit me njësitë e pushtetit lokal në shtetet e rajonit.
Për këtë qëllim gjatë vitit janë paraparë një sërë vizitash dhe takimesh me kryetarët e bashkive kryesore në Shqipëri.
Me qëllim të koordinimit të aktiviteteve, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, kanë realizuar një vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku janë pritur nga ambasadori, Sylejman Selimi.
Ambasadori e ka vlerësuar si një nismë shumë të qëlluar angazhimin e komunarëve mitrovicas për tu afruar me kolegët e tyre në Shqipëri.
Ai theksoi se ka shumë fusha ku mund të bashkëpunohet me shumë sukses. Është jashtëzakonisht një nismë e qëlluar, meqë komunat e Kosovës dhe bashkitë e Shqipërisë duhet të afrohen, ti shkëmbejnë përvojat e tyre të mira dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën sa i përket zhvillimit ekonomik, kulturor etj.
Kryetari Kastrati, e ka falënderuar ambasadorin Selimi për pritjen dhe mbështetjen e ofruar. Ne kemi nisur vitin e kaluar këtë nismë për intensifikimin me bashkitë e Shqipërisë dhe kemi vërejtur menjëherë se ka qenë e suksesshme.
Ai përmendi rritjen e bashkëpunimit me Korçën, me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar, mandej përgatitjen e memorandumit të binjakëzimit me Vlorën si dhe bashkëpunimin shumë të frytshëm me Bashkinë e Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka marr vendim që të ndihmoj rindërtimin në veri të Mitrovicës me 100 mijë euro, ndërsa me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na ka bërë një nder të madh duke na e dhuruar një monument shqiponje, të cilën e kemi vendosur në një shesh të Mitrovicës.