Mitrovica e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Mitrovicë, 11 qershor - Bashkëpunimi në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Organizatës Terres Des Homes (TDH), që si qëllim ka mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimi, do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Në takimin e nënkryetarit të komunës, Safet Kamberi, me Sendrine Constant, drejtoreshë për Kosovë e Terres Des Homes, u tha se bashkëpunimi do të jetë konkret dhe ka të bëjë me realizmin e objektivave që si synim kryesor kanë mbrojtjen e fëmijëve nga shkelja e të drejtave të tyre, braktisja e shkollave etj.
Zonja Constant tha se TDH operon në Kosovë që nga viti 2002 dhe që nga ajo kohë në shumicën e komunave të Kosovës ka realizuar projekte të rëndësishme për mbështetje ndaj fëmijëve. Sipas saj, puna e tyre si qëllim parësor ka mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, vetëdijesimin e tyre për mos braktisjen e shkollave dhe ndihmë fëmijëve me asistencë sociale.
Kemi themeluar grupe multi-diciplinare të profesionistëve në nivel komunal (tryeza për menaxhimin e trafikimit, braktisjes së shkollës si dhe konflikt me ligjin). Puna e këtij grupi (të përbërë nga Qendra për Punë Sociale, DKA, DMS, psikologë dhe drejtorë shkollash, polici dhe OJQ), bazohet në një memorandum bashkëpunimi që e është nënshkruar në vitin 2013 me Drejtorinë për Mirëqenie sociale. Këtë vit jemi duke punuar drejt institucionalizimit të këtyre grupeve, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, ku ekspertë holandez do të ndihmojnë të adaptohet modeli i Holandës dhe ta parashihet baza ligjore për funksionalizimin e këtyre tryezave, tha ajo.
Drejtoresha Constant theksoi se aktuTalisht TDH ofron mësime shtesë për fëmijët në nevojë në shkollat Skënderbeu dhe Bedri Gjina në Mitrovicë. Ajo po ashtu pohoi se sa i përket bashkëpunimit, dëshiron që të ketë një memorandum bashkëpunimi në mes Terres des Homes dhe Komunës së Mitrovicës.
Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, tha se është shumë i vetëdijshëm për punën që ka bërë kjo organizatë deri më tani. Ai tha se edhe në të ardhmen do të kenë një bashkëpunim shumë të afërt, pasi që mbrojta e të drejtave të e fëmijëve është prioritet i qeverisjes komunale. Ne jemi shumë falënderues për punën që keni bërë në vazhdimësi në Komunën e Mitrovicës, andaj edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim me ju. Unë pajtohem që në kuadër të kabinetit të kemi dhe një memorandum bashkëpunimi me ju, në mënyrë që hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të konkretizohen më detajisht, tha nënkryetari Kamberi.