Mitrovica do të binjakëzohet me një qytet gjerman
Mitrovicë, 24 prill - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rustem Musa si dhe një grup profesorësh dhe studentësh nga fakultetet e Mitrovicës, kanë vizituar qytetin Mulheim an der Ruhr të Gjermanisë.
Vizita është realizuar me qëllim të shkëmbimit të përvojave sa i përket punës së shkollave profesionale.
Gjatë qëndrimit 2 ditor në Gjermani delegacioni nga Mitrovica ka vizituar edhe fabrika të ndryshme dhe ka realizuar takime me shumë afaristë dhe përfaqësues të organizatave dhe shoqatave të ndryshme.
Gjithashtu është realizuar edhe një takim me kryetaren e qytetit Mulheim an der Ruhr, znj. Renate aus der Beek.
Në takim me kryetaren Beek është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve.
Ajo ka shtruar nismën për binjakëzim të qytetit Mulheim an der Ruhr me Komunën e Mitrovicës, që është mirëpritur nga delegacioni mitrovicas.