16 Janar 2025

Mitrovica bashkohet vetëm prej atyre që e duan bashkimin e saj

Prishtinë, 30 mars - Sot në Mitrovicë, mijëra qytetarë protestuan kundër pazareve të dëmshme që sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria e Hashim Thaçit, po i bën me Daçiqin në Bruksel.

Tubimi me moton “Bashkohemi në Mitrovicë, u mbajt në sheshin “Mehë Uka” dhe filloi në orën 13:00.

Protestuesve fillimisht iu drejtua kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë Osman Haxhimehmedi.

Ai ndër të tjera tha se, "kur vuan Mitrovica preket jo vetëm Kosova, por i gjithë populli shqiptar, prandaj kjo ditë sot po i  tregon mbarë botës se populli shqiptar nuk di të heshtë para padrejtësisë, por ngrihet në këmbë për të drejtat e tij.

Osman Haxhimehmedi i porositi protestuesit se koha nuk pret dhe se ose do të bashkohemi dhe do të fitojmë, ose do të qëndrojmë të ndarë dhe do të na mposhtin një nga një.

“Premtimet e këtij pushtetit mund t’i besojnë vetëm ata që kanë vendosur t’i mbyllin sytë për të mos e parë të vërtetën”, tha Haxhimehmedi.

“Nuk ka zhvillim të Kosovës pa Trepçën. dhe nuk ka zhvillim me liqenin e Ujmanit në duart e Serbisë. Por, ne nuk do ta lejojmë. Ky popull sot po u kthen atyre përgjigje, duan apo s’duan ata.  Bashkimi kalon nga Mitrovica dhe shqiptarët bashkohen në Mitrovicë”, tha në fund Osman Haxhimehmedi.

Pas tij fjalën e mori Shpend Ahmeti, i cili tha se edhe pse Mitrovica prej 14 vitesh është në këtë gjendje, tek dje iu kujtua Hashim Thaçit të vijë e ta vizitojë atë. “Këtë nuk e bëri se brengoset për Mitrovicën e do ta ndihmojë atë, por vetëm pse sot Lëvizja Vetëvendosje! po mban tubim protestues”, potencoi Shpend Ahmeti. 

Duke iu drejtuar protestuesve të tubuar ai e përsëriti konstatimin se “pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”.

Ndërkaq  kryenegociatorin Thaçi  e porositi: “Ju mund të nënshkruani me 2 prill, mund të nënshkruani edhe bashkimin e komunave serbe, por ky nënshkrim nuk është i vlefshëm për neve dhe nuk do të vlej as për qytetarët dhe popullin e Republikës së Kosovës."

I fundit para protestuesve foli kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti.

Mitrovica bashkohet vetëm prej atyre që e duan bashkimin e saj. Bashkimi i Mitrovicës dhe integrimi i veriut mundësohet nga 2 hapa paraprak që e sjellin shtetin e Kosovës në ofensivë, e ata janë tha Kurti, ndërprerja e dialogut dhe moslejimi i mallrave nga Serbia.

Nuk ka shtet të zhvilluar të Kosovës dhe as komb të përparuar shqiptar pa Mitrovicën. Shpërbërja e Jugosllavisë ka nisur në Trepçë e bërja e shqiptarisë ndodh në Mitrovicë, vazhdoi më tej ai.

"Në pazarin në Bruksel humbjen që po e përjeton Kosova po duan ta paraqesin si humbje të Serbisë, ndërsa përfitime vetjake të politikanëve si fitore të Kosovës. Në Bruksel me Daçiqin janë marrë vesh për territorin, karakterin etnik dhe financat e autonomisë që quhet asociacion. Ndërkaq, me 2 prill duan të merren vesh edhe për fuqitë ekzekutive të kësaj autonomie”, vazhdoi më tutje Kurti.

Në fund Albin Kurti porositi se po u bë marrëveshja me 2 prill, do të vazhdohet me demonstratë gjithëpopullore në Prishtinë, kundër tradhtisë së Qeverisë ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)