Miratohet vendimi për ndarjen e mjeteve për partitë politike
Prishtinë, 8 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka miratuar vendimin për ndarjen e përkohshme të mjeteve financiare për partitë politike, për periudhën janar - mars 2011.
Ndarja, është thënë në takim, do të bëhet sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike (nga viti i kaluar), kurse pas miratimit të Buxhetit të Kosovës, mjetet financiare për partitë politike do të ndahen nga Komisioni Qendror Zgjedhor, konform Ligjit për financimin e subjekteve politike.
Kryesia ka pasur përend dite edhe emërimin e kryetarëve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të komisioneve parlamentare, por duke e pasur parasysh, se kjo çështje u takon ekskluzivisht grupeve parlamentare, ka vendosur që deri të mërkurën, shefat e këtyre grupeve tia dorëzojnë Administratës së Kuvendit emrat e anëtarëve dhe të drejtuesve të komisioneve parlamentare, në mënyrë komisionet të fillojnë punën e tyre për shqyrtimin e projektligjeve dhe të çështjeve të tjera, për të cilat obligohen me Rregulloren e Kuvendit.