05 Maj 2024

Miratohet rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Prishtinë, 18 tetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës me 68 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime ka miratuar Rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Rezoluta parasheh një proces normalizimi të raporteve me Serbinë, duke zgjidhur të gjitha çështjet kontestuese midis dy shteteve sovrane.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci njoftoi se pas sugjerimeve janë bërë disa ndërhyrje të vogla si në Preambulë të Rezolutës, ku insistohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Ai tha se përmes Rezolutës, Kosova ka për synim zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve në rajon dhe kjo rezolutë sipas tij, ka të bëjë me normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve sovrane.

Grabovci vlerësoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet qenësore për rajonin, ndërsa u shpreh se ky hap demonstron në praktikë qëndrimin paqësor dhe klimën bashkëpunuese të Kosovës.

“Kjo rezolutë nuk ka të bëjë vetëm me bisedimet, por në radhë të parë me normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve sovrane”, tha Grabovci, duke shtuar se Serbia s’ka rrugë tjetër, dhe herët a vonë duhet ta pranojë shtetin e Kosovës.

Ai tha se kjo rezolutë është shumë e dobishme për Kosovën sepse siç tha ai “rezultatet duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, rregullimin e brendshëm kushtetues”. Kjo, sipas Grabovcit, do të largojë edhe prezencën ilegale serbe në Kosovës.

Blerim Shala, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovë e Serbisë qartëson tri çështje: definon interesin e Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, duke respektuar Kushtetutën, Qeverinë përcakton bartëse të këtij procesi, si dhe rikonfirmon që Kuvendi është autoritet suprem në përcjelljen e këtij procesi.

Mirëpo, sipas Shalës, në këtë dokument do të duhej të përfshihen edhe afati ligjor për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, cilat çështje duhet të zgjidheshin e jo vetëm të diskutohen, siç është çështja e personave të pagjetur, afati kohor kur duhet të përfundojnë bisedimet etj.

Ashtu sikurse pritej deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë kundër kësaj rezolute.

Vetëvendosje konsideron se rezoluta e PDK-së është e paligjshme dhe sipas deputetes se kesaj levizje Albana Gashi, dëshmon fakti se në maj të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën e mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare ku kushtëzohet çfarëdo dialogu me Serbinë pa u zbardhur fati i 1781 personave të rrëmbyer e ende të pagjetur. 

\"Pra, në njëherë të vetme Kuvendi i doli në krah familjarëve të të pagjeturve ndërsa tani po del një rezolutë e cila po shkel mbi të pagjeturit.Kjo Rezolutë është tradhti për familjet e të pagjeturve si dhe shkelje e interesave të qytetarëve të Kosovës\", ka thënë Gashi.

Ndërkaq, Glauk Konjufca nga radhët e Vetëvendosjes, që kundërshtoi këtë Rezolutë tha se PDK po e degradon Kuvendin e Republikës së Kosovës në agjenci vendimmarrëse qeveritare. Miratimi i Rezolutës së PDK-së do të thotë zhvlerësim i Kuvendit, sepse Kuvendi e ka në fuqi Rezolutën për kushtëzimin e çfarëdo negociatave me Serbinë nëpërmjet kthimit të 1,780 të pagjeturve.

“Njëherë ky Kuvend votoi për reciprocitet me Serbinë, pastaj Qeveria i detyroi deputetët e kontrolluar të sjellin një mocion kundër reciprocitetit me Serbinë. Njëherë ky Kuvend votoi amendamente për definimin e të pagjeturve, pastaj u kthye rivotimi për t’i rrëzuar ato amendamente.\"

\"Sërish sipas urdhrave të Qeverisë. Njëherë në këtë Kuvend u votua Rezoluta që i kushtëzon bisedimet me Serbinë me kthimin e të pagjeturve. Kurse sot po na vjen një mocion që na kërkon ta shkelim rezolutën e miratuar më herë. Që kërkon të shkelim mbi të pagjeturit vetëm e vetëm që të shkojmë ne negociata me Serbinë. Për ata që e kanë votuar këtë Rezolutë, sot po kërkohet që të shkelin mbi vetveten”, tha Konjufca.

Sipas tij, marrëdhëniet me Serbinë mund të normalizohen vetëm në dy mënyra. Duke kompletuar sovranitetin ose duke iu nënshtruar kërkesave të Serbisë.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)