Miratohet raporti për shënjimin e Kufirit me Malin e Zi
Prishtinë, 12 gusht - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt. Në mbledhjen e sotme është miratuar Raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për shënjimin e kufirit shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se gjatë muajve të fundit janë mbajtur disa takime dhe se janë bërë përpjekje që të sqarohen të gjitha çështjet dhe që të mos mbetet asgjë pa u sqaruar. Kryeministri Mustafa bëri të ditur edhe për takimet e mbajtura ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Pejës duke përfshirë kryetarin e Komunës edhe disa përfaqësues tjerë të cilët janë marrë me këtë çështje, ndërkaq nga Qeveria e Kosovës kanë qenë kryeministri Mustafa, zëvendëskryeministri Thaçi, zëvendëskryeministri Shala.
Kryeministri Mustafa tha se në këto takime që janë mbajtur janë interesuar se a ndryshon sipërfaqja e Republikës së Kosovës me rastin e përcaktimit të këtij kufiri. Komisioni ka dëshmuar se sipërfaqja nuk ndryshon për asnjë centimetër katrorë, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar nga kryetari i Komisionit që edhe një herë ta vërtetoj këtë para Qeverisë, duke përfshirë edhe faktet se nuk ndryshon sipërfaqja e Komunës së Pejës.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi pasi ka prezantuar procedurat e krijimit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ka theksuar se në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, për tri vite me radhë ky Komision ka hulumtuar, mbledhur, shqyrtuar dhe analizuar gjithë informacionin, hartën dhe dokumentacionin për vijën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Përgjatë gjithë kësaj kohe janë ngritur debate me ekspertë, me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me kryetarë komunash dhe këshilltarë të komunave të brezit kufitar me Malin e Zi, si Komuna e Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut, si dhe me banorë në terren pranë zonave kufitare. Në bazë të Raportit të Punës së Komisionit Shtetëror, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit, dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se Komisioni Shtetëror garanton se me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, nuk tjetërsohet asnjë milimetër katror i territorit të Republikës së Kosovës, tha zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se është bërë një punë tejet e madhe prej Komisionit, gjithashtu se ka qenë një përkushtim i vazhdueshëm i gjithë mekanizmave shtetëror.
Raportin e Punës së Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror e ka prezantuar para kabinetit qeveritar kryesuesi, Murat Meha. Komisioni me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe me argumente të dokumentacionit që i kemi këtu edhe në formë analoge dhe në formë digjitale, e thotë dhe e dokumenton që territori i Republikës së Kosovës nuk ndryshon për asnjë centimetër katror dhe Komuna e Pejës, që e ka pasur territorin e vetë 602.2 kilometra katrorë, të njëjtat i ka pasur edhe në 74, të njëjtat i ka edhe sot. Do të thotë, nuk ka ndryshim të vijës kufitare në bazë të dokumentacionit ekzistues, dhe vijës administrative të cilën e ka menaxhuar edhe Krahina Socialiste atëherë, dhe tash është Kufi Shtetëror i Republikës së Kosovës, tha ndër të tjera, Meha
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ti rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Dizajnin Industrial. Ky projektligj përcakton kushtet dhe procedurat për regjistrimin e dizajnit industrial, të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi dhe zbatimi i këtyre të drejtave. Projektligji është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, për projektin e bashkëpunimit për zhvillim KSV17: Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë në Kosovë Faza II.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe koncept dokumentin për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës. Objektiv kryesor është krijimi i bazës ligjore të mirëfilltë për nxitjen dhe mbështetjen e investimeve strategjike të huaja dhe të vendit në Kosovë, në fushat e ekonomisë që paraqesin potencial të lartë zhvillimor. Përmes këtij koncept dokumenti përcaktohen qartë procedurat dhe rregullta favorizuese, lehtësuese dhe përshpejtuese në funksion të arritjes së qëllimit kryesor për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në sektorët e ekonomisë. Përmes rregullimit të fushës së investimeve strategjike po ashtu synohet që të eliminohen barrierat penguese të deritashme për nxitjen dhe realizimin e investimeve të huaja.
Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se kjo është një iniciativë tepër e rëndësishme për Kosovën, për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për krijimin e kushteve për investime strategjike. Kryeministri Mustafa po ashtu kërkoi që të përshpejtohet puna në hartimin e këtij ligji, dhe që duke i zhvilluar të gjitha procedurat e parapara, të vjen në Qeveri dhe të procedohet në Kuvend.
Është shqyrtuar dhe miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Japonisë për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përcaktimin e nivelit maksimal të shpërndarjes së mjeteve financiare nga Fondi për Kuadro, i cili do të ketë një shkurtim prej rreth 50 (pesëdhjetë) për qind në këtë vit.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ti rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
U aprovuar edhe analiza dhe rekomandimet për përmirësimin e ambientit të huamarrjes shtetërore. Ky dokument prezanton mundësitë e huamarrjes që aktualisht ka Republika e Kosovës si dhe përparësitë dhe mangësitë që bartin me vete mundësitë e huamarrjes.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që ti propozojë Kuvendit të Kosovës që të anulojë Amendamentin numër 10 të aprovuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, gjatë leximit të dytë të rishikimit të Buxhetit për vitin 2015, për arsye të mungesës së mjeteve dhe pamundësisë së zbatimit të tij.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për Komunën e Shtërpcës me qëllim të mbështetjes për kryerjen e obligimeve të mbetura financiare.
Kabineti qeveritar është informuar me Raportin mbi performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore në periudhën janar-korrik të viti 2015 dhe Raportin gjashtëmujor të shpenzimeve për të gjitha organizatat buxhetore në periudhën janar-qershor 2015.
Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se është kërkuar këtu që të ketë raporte mujore lidhur me performancën e të hyrave dhe të shpenzimeve të Buxhetit. Është pastaj obligim i gjithë ministrive, ministrave dhe sekretarëve të përgjithshëm që ta përcjellin këtë dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet që të ulin shpenzimet dhe poashtu ministritë të kujdesen për perfomancën e të hyrave buxhetore. Ne do ta përcjellim këtë, dhe në qoftë se e vërejmë që diku në ministri apo në agjencione të ndryshme kemi shpenzime të cilat devijojnë nga ato që mund të jenë standarde, dhe që mund të jenë të rregullta, ne do të propozojmë në Qeveri që të ndërmerren masa të menjëhershme, tha kryeministri Mustafa.
Raporti vjetor për vitin 2014, i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka marr miratimin e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme. Raporti evidenton angazhimin për fuqizimin e bashkëpunimit për konsolidimin e sistemit statistikor bashkëkohor në Kosovë si dhe komunikimit me shfrytëzuesit e statistikave zyrtare.
Është aprovuar edhe koncept dokumenti për kuadrin ligjor të tatimit në pronën e paluajtshme në Republikën e Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar nevojën që gjatë procesit të hartimit të akteve ligjore që rregullojnë fushën e tatimit në pronën e paluajtshme, të analizohen efektet dhe ndikimet në stabilitetin social.
U miratua edhe vendimi për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për fillimin e procedurave për eliminimin e të gjitha monopoleve ekonomike dhe veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe ato të cilat krijojnë detyrime për qytetarët, dhe të cilat detyrime nuk janë të parapara me ligjet në fuqi. Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë vartëse për rishikimin e barrierave eventuale që kufizojnë konkurrencën e lirë apo krijojnë monopole. Arsyeja është që ne kemi në disa ministri vërejtje se kemi krijuar obligime për qytetarët të cilat obligime nuk janë të parapara me ligj, ose kemi edhe situata të monopolit të cilat domosdoshmërisht duhet ti eliminojmë, edhe ato të cilat do të jenë krijuar deri më tani dhe po ashtu ato të cilat mund të krijohen në të ardhmen, ka thanë kryeministri Isa Mustafa.
Qeveria ka emëruar Heset Mazrekaj në detyrën e Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror në Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.