Miratohet projektligji që ndalon pjesëmarrjen në konflikte jashtë Kosovës
Prishtinë, 14 mars - Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme me 48 vota për, 10 kundër dhe 4 abstenime ka miratuar në parim projektligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.
Nxjerrja e këtij ligji është thënë se erdhi si nevojë e sanksionimit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit, pas rasteve të evidentuara tashmë të pjesëmarrjes së dhjetëra personave në luftën e Sirisë.
Sponsoruesi i ligjit, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se nxjerrja e tij ka qenë një domosdoshmëri, pasi që me rritjen e numrit të personave që po shkojnë në konfliktin e Sirisë po kërcënohet siguria e brendshme e Kosovës.
Në veçanti, ai ka thënë se personat që shkojnë në konflikte të tilla, kur kthehen paraqesin kërcënim për rendin dhe sigurinë e brendshme të Kosovës.
Andaj, ligji i propozuar, sipas tij, ka për qëllim të parandalojë por edhe mbrojë Kosovën nga veprimet kriminale e terroriste që paraqesin kërcënim për interesin dhe sigurinë e Kosovës.
Në këtë projektligj përcaktohen si vepra penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Dispozitat e këtij ligji, parashihet të zbatohen ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Kurse, dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg.