Miratohet Projektligji për veteranët e UÇK-së
Prishtinë, 13 mars - Kuvendi i Kosovës më shumicë votash, 71 për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar në parim Projektligjin për veteranët e UÇK-së. Shqyrtimi i këtij projektligji ka ngjallur debat të ashpër për katër orë rresht kryesisht ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së.
Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti), në çështje jashtë rendit të ditës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi deputetët lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Kjo çështje ngjalli debat të gjerë në Kuvend, meqë deputetë nga radhët e opozitës theksuan se kjo lëvizje buxhetore kërkon edhe vendimin e Kuvendit, andaj këtë vendim të Qeverisë ata e quajtën antiligjor, derisa disa nga deputetët nga radhët e pozitës e përshëndetën këtë vendim.
Kryeministri Thaçi theksoi se rritja e pagave për punëtorë nuk nënkupton vendim në kuptim e orientimit politik, partiak, por shtoi ai, vendimi i qeverisë është i implementueshëm dhe përfshinë mbi 240 mijë punëtorë dhe pensionistë.
Ai më tej tha se garanton dhe siguron të gjithë deputetët dhe qytetarët e Kosovës se vendimi i Qeverisë do të jetë i realizueshëm.
Me këtë rast foli edhe kryeparlamentari Krasniqi. Ai tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i paligjshëm, ngase sipas tij ai vendim është dashur të merret në Kuvend.
Ndërkaq, tha se pagat janë rritur në mënyrë të paarsyeshme, ngase, sipas Krasniqit, është thelluar diferenca mes atyre që kanë kushte tepër të vështira dhe atyre që kanë paga të majme. Sipas kreut të Kuvendit Komisioni për Buxhet duhet të informojë deputetët lidhur me këtë çështje në séancën e radhës.
Shefat e grupeve parlamentare nga radhët e opozitës gjatë deklarimit të tyre lidhur me këtë çështje theksuan faktin se Qeveria me këtë vendim ka shkelur Ligjin për Buxhet, meqë rishikimi është bërë pa miratimin e Kuvendit.
Fjalën e mori sërish kryeministri Thaçi, i cili mes tjerash lidhur me këtë çështje tha se edhe Kuvendi edhe Bashkësia Ndërkombëtare kanë qenë të informuar lidhur me këtë vendim dhe se vendimi për rritjen e pagave sipas tij ka qenë i menduar mirë dhe i planifikuar, ndërsa kërkoi që kjo çështje të mos politizohet.
Pas një debati të gjerë mes deputetëve dhe kryeministrit Thaçi lidhur me këtë çështje, kryeministri njoftoi deputetët edhe për shëndrrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ai tha se Forcat e Armatosura të Kosovës do t\'i kenë 8 mijë pjesëtarë vajza dhe djem të Kosovës, ndërkaq shtoi se kjo forcë do të jetë multietnike dhe se për formimin e saj e kanë marrë mbështetjen e SHBA-së, NATO-s, BE-së, dhe mirëkuptimin nga OKB-ja për respektimin e plotë të vendimit të Qeverisë.
Pas përfundimit të pikës për pyetje parlamentare, deputetët në shqyrtim të parë përkrahën Projektligjin për provimin përfundimtar dhe provimin e Maturës Shtetëror (të cilin e prezantoi ministri i MASHT-it, Ramë Buja).
Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke paraqitur këtë projektligj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji është përcaktimi i të drejtave dhe beneficioneve të veteranëve të UÇK-së dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre, si dhe procedurave administrative për realizmin e këtyre të drejtave.
\"Veteranët e UÇK-së të cilët me sakrificën e tyre sublime dhanë kontribut të lartë, udhëhoqën luftën çlirimtare të Kosovës me karakter mbrojtës dhe çlirimtar dhe me qëndrimet e tyre të ndershme dhe patriotike janë shembull për brezat e ardhshëm.
Me Projektligjin për veteranët e UÇK-së rregullohen çështjet si në vijim:
Kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, procedurat e konstatimit të të gjitha kategorive të veteranëve të UÇK-së, nga komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së dhe miratimi i listave përfundimtare të veteranëve të UÇK-së; pajisje me dokumente përkatëse të veteranëve të UÇK-së, sipas kategorizimit;
Krijimi i regjistrave të kategorive përkatëse të drejta dhe beneficione të veteranëve të UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre, që përfshijnë: pensioni personal i veteranit, shtesat në pensionin e pleqërisë , pensionet e trashëgimtarëve, e drejta për shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim, përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollim, në universitete publike, vendosja në shtëpitë e personave të moshuar, si dhe lehtësira tjera\", theksoi kryeministri Thaçi.
Sipas tij arsyeja kryesore për nxjerrjen e këtij projektligji është krijimi i një infrastrukture ligjore të nevojshme, funksionale dhe të qëndrueshme përmes të cilave kategori në këtë ligj t\'iu rregullohet statusi dhe të përcaktohet e drejta në beneficione të ndryshme.
Thaçi vlerësoi se miratimi i këtij projektligji do ta kompletonte legjislacionin për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare e Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fikrim Damka, sqaroi se ky komision e ka shqyrtuar në parim këtë projektligj dhe i rekomandon Kuvendit ta përkrahë atë.
Salihe Mustafa, duke shpalosur përkrahjen që i jep këtij projektligji Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se do të angazhohen që ky projektligj të amendamentohet sa më shpejtë dhe të miratohet në Kuvend.
Duke përmendur të drejtat që do të gëzojnë veteranët e UÇK-së dhe familjet e tyre përmes këtij projektligji, ajo tha se veç pensioneve veteranët do të gëzojnë edhe beneficione tjera, si e drejta për shërbime shëndetësore falas, lirimi nga pagesat administrative në shkollim, në universitete publike, apo lirimi nga pagesa në udhëtim.
Ajo tha se qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i të drejtave të beneficioneve të veteranëve të cilët me sakrificën dhe kontributin e tyre ishin faktorë vendimtarë për lirinë e Kosovës.
Anton Çuni, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ky projektligj do të përkrahet nga LDK-ja, ndërkaq, i përgëzoi veteranët e UÇK-së për durimin e tyre, të cilët, sic tha ai për 15 vjet kanë qenë të patrajtuar në formë institucionale.
Deputeti Çuni kërkoi që ky ligj të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë ata që janë veteran dhe të mos jetë përjashtues në aspektin kohor e organizativ.
Sipas tij krahas komandave të zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm të radhitet edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si një nga akterët e rëndësishëm të organizimit, mobilizimit, mbështetjes dhe ekzekutimit të operacioneve për çlirimin e territoreve të Kosovës. Ndërsa, paraqiti edhe disa vërejtje dhe propozime në nene të caktuara.
Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, foli edhe deputeti Faton Topalli. Pas sqarimeve që dha se Vetëvendosje do ta përkrahë në parim këtë projektligj, Topalli shtoi se përkrahja për këtë ligj nuk shkon pse ligji është i mirë dhe garanton mbështetje përmbajtësore, por për faktin se ky ligj është kërkuar nga vet veteranët e UÇK-së.
Duke theksuar se ky projektligj nuk i mbron interesat e veteranëve , pati kritika për vonesën e këtij ligji, pas 15 vjetësh. \"Projektligji vjen 15 vjet pas përfundimit të luftës, në përfundim të mandatit të dytë të kësaj qeverie dhe vetëm për efekte elektorale\", tha Topalli, duke shtuar se \"ky ligj është i mirë për vota, por jo për zbatueshmëri të ligjit pas zgjedhjeve.
Ai paraqiti një sërë vërejtjesh në nene të caktuara të projektligjit, ndërsa sqaroi se do të angazhohen në komisionet përkatëse që nenet e këtij ligji që kanë karakter propagandistik të kthehen në nene që garantojnë mbështetjen ndaj tyre.
Edhe Time Kadriaj, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se veteranët e UÇK-së kanë mbetur pa mbështetje dhe respekt ligjor që 15 vite, duke përmendur kështu edhe rastet e shumta të vetëvrasjeve të veteranëve të UÇK-së.
Ajo tha se nuk është paraparë asnjë centë për këto kategori në parashikimin buxhetor 3 vjeçar. Sipas Kadriaj ky projektligj në tërësi është i mirë dhe deri në një masë i plotëson kërkesat dhe nevojat e veteranëve, megjithatë ajo shfaqi kritika ndaj Qeverisë për faktin se nuk kanë ndonjë numër të saktë të veteranëve të UÇK-së.
Tutje, ajo tha se shpreson se të gjitha beneficionet që janë paraparë përmes këtij ligji të implementohen, sepse përfshijnë një bazë të gjerë të kritereve që i meritojnë këta veteranë. Ndërkaq, tha se AAK-ja do ta përkrahë në parim këtë projektligj.
Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, Myzejene Selmani, duke shprehur qëndrimin pro këtij projektligji tha se është e drejtë që veteranët e UÇK-së të gëzojnë beneficione, ndërkaq shtoi se pas përfundimit të listave dhe amendamentimit të ligjit, do të ketë mundësi të dihet kostoja financiare e këtij ligji.
\"Shpresojmë që do të përfundojë edhe çështja e listave dhe këta njerëz që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës t\'i gëzojnë këto beneficione bazuar në këtë projektligj\", tha Selmani.
Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, tha se para se të flasë për projektligjin, duhet të flas për disa fenomene negative që po e përcjellin shoqërinë tonë që 15 vite dhe institucionet tona.
\"Po shohim se në të gjitha institucionet e shtetit kemi grumbulluar njerëz të afërm dhe është zhvilluar një nepotizëm tepër i madh dhe i rrezikshëm për shtetin dhe institucionet tona.
Ky fenomen i nepotizmit ka përfshirë edhe zyrtarë të lartë të UÇK-së të cilët libreza të veteranëve iu kanë dhënë të afërmve të tyre. Por jo vetëm kaq. Ata kanë bërë edhe dëshmorë, njerëz që nuk kanë rënë në luftë, e po ashtu edhe invalid të luftës të cilët nuk kanë qenë.
Nëse komisioni qeveritar nuk ka qenë në gjendje ta bie numrin normal të veteranëve të UÇK-së, atëherë ministri dhe ky komision është dashur që të gjurmojnë, të hulumtojnë se cilët veteranë vërtetë kanë një nevojë më të veçantë për t\'u ndihmuar dhe për të pasur një jetë të dinjitetshme.\", tha kreu i Kuvendit, duke shtuar se është e pandershme që veteranët e UÇK-së të cilët janë në një gjendje të rëndë ekonomike të mos ndihmohen. Krasniqi theksoi se duhet ta definojmë saktësisht statusin veteranë të UÇK-së dhe se nuk është e vështirë të përcaktohet fakti se cilët janë ata veteran të UÇK-së.
\"Komisioni përkatës duhet që sa më parë ta bie numrin e saktë të tyre dhe ta dimë numrin e atyre veteranëve që vërtetë jetojnë në kushte të vështira. Kjo duhet të ndodhë në afat së më të shkurtër, të saktësohet, dhe ata njerëz t\'i marrin ato mjete për të mbijetuar. Atyre personave që nuk kanë vend pune e as jetë të dinjitetshme , t\'ia mundësojmë këtë, ngase e meritojnë\", tha kryekuvendari Krasniqi.
Krasniqi shtoi se nuk duhet adresuar kritikat vetëm në një vend, por tek të gjitha subjektet politike. \"Qëllimi është që vërtetë ta miratojmë këtë ligj sot dhe përveç tjerash komisionet përkatëse të vënë komunikim me të gjitha kategoritë e dala nga lufta, për të parë se cili është angazhimi i Kuvendit dhe i shoqërisë sonë, tha kreu i Kuvendit.
Pas një debati të gjerë të deputetëve, të cilët shfaqën përkrahjen e tyre për këtë projektligj duke dhënë njëkohësisht edhe vërejtje dhe propozime për këtë projektligj, Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori mbështetjen në parim nga deputetë të Kuvendit