Miratohet Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së
Prishtinë, 10 mars Ministria për Integrim Evropian përshëndet miratimin e Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së, dëshmon përkushtimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociim-it.
Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tri aspekte strategjike të anëtarësimit në BE:
Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së
Zbatimin e legjislacionit të përafruar.
Programi mbulon të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.
Programi përcakton masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.
Procesi për hartimin e Programit, është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian, me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.
Zbatimi i Programit do të filloj menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së në fillim të muajit Prill 2016.