23 Dhjetor 2024

Miratohet Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA -së 2022-2026

Prishtinë, 25 shkurt - U mbajt mbledhja e katërt me radhë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), i cili është organi më i lartë shtetëror koordinues për integrim evropian. Në këtë mbledhje u diskutua dhe miratua në parim Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022-2026.

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është proces shtetëror. Kërkon angazhim të të gjitha institucioneve, qoftë ministrive, Kuvendit apo edhe institucioneve të pavarura, tha kryeministri Kurti në fjalimin e tij në hapje të takimit.

Ai theksoi se gatishmëria politike dhe performanca e kënaqshme në zbatimin e reformave janë të domosdoshme për fazën e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo pasi që në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të mbajtur më 7 dhjetor 2021, Kosova ka marrë përsipër zotimin politik që gjatë këtij viti të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo pritet të hapë udhë që Kosova të bëhet shtet kandidat për anëtarësim.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, prezantoi para të pranishmëve draftin final të Programit, me fokus në reformat kyçe në kuadër të tre blloqeve të këtij dokumenti: kritereve politike, kritereve ekonomike dhe standardeve evropiane - kapitujve të negociatave për anëtarësim. Lidhur me këtë ai nënvizoi tre aspekte kyçe. Së pari, zbatimi i reformave për integrim në BE është parakusht për të kaluar në fazën tjetër të aderimit në BE. Së dyti, zbatimi i këtyre reformave duhet të jetë në përputhje me prioritetet politike dhe gjetjet e Raportit më të fundit vjetor të KE-së për Kosovën, dhe institucionet zbatuese duhet të fokusojnë punën e tyre në zbatimin e këtyre prioriteteve. Së treti, Kosova duhet të tregojë progres në zbatimin e këtyre reformave, në veçanti në pjesën e parë të vitit. Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se pjesa e dytë e vitit do të fokusohet në rrafshin diplomatik dhe përgatitjen e vendimmarrjes politike lidhur me aplikimin për anëtarësim me qëllim të  arritjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, ministrat dhe udhëheqësit e institucioneve të tjera diskutuan specifikisht për reformat nën përgjegjësinë e institucioneve të tyre të parapara në draftin përfundimtar të Programit të MSA-së. Të gjithë bartësit e masave u zotuan se do të zbatojnë këto reforma në mënyrë të duhur dhe brenda afateve kohore, në bashkëpunim dhe koordinim me Zëvendëskryeministrin përgjegjës për integrim evropian dhe me Zyrën e Kryeministrit si institucion koordinues në këtë proces.

Drafti përfundimtar i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së u miratua në parim nga KMIE. Ky program do të përcjellët për miratim në Qeveri dhe pastaj do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim përfundimtar. Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së është kornizë gjithëpërfshirëse për përmbushjen e obligimeve të MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në BE. Pas miratimit në Qeveri PKZMSA 2022-26 do të publikohet për vëmendjen e të gjitha palëve të interesuara.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)