23 Janar 2025

Miratohet nisma për marrëveshje ndërkombëtare me Gjermaninë

Prishtinë, 15 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 38-të të rregullt dhe miratoi vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Agjencionit për Financimin Shëndetësor. Rregullorja përcakton organizimin e brendshëm të agjencisë dhe funksionalizimin e tij.

Në mbledhje është miratuar Udhërrëfyesi për vlerësimin ex-post të legjislacionit në Republikën e Kosovës. Vlerësimi ex-post është mjet i rregullimit më të mirë që është definuar me Strategjinë për Rregullim më të mirë 2014-2020 në Kosovë. Ky vlerësim i mundëson administratës publike që të mbledh të dhëna për një akt juridik: sa është zbatuar, sa janë arritur qëllimet e aktit juridik, sa ka realizuar akti efektivitetin e kostos, dhe sfidat në realizim dhe implementim të aktit. Këto informata do t’ju shërbejnë institucioneve për të vendosur nëse legjislacioni duhet të ndryshohet apo zëvendësohet me dispozitat të reja.

Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe Koncept dokumentin për fushën e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës. Analiza e përgjithshme e gjendjes së statistikave zyrtare në Kosovë, sipas këtij koncept dokumenti, rekomandon shqyrtimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Statistika zyrtare në Kosovë.

Plotësim ndryshimet e ligjit do të bëjnë harmonizimin me legjislacionin evropian dhe do përmbushen obligimet që dalin nga fusha e statistikave zyrtare në procesin e integrimeve evropiane.

Është miratuar në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar që financohet në kuadër të IPA-s 2014-2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor (marrëveshjen kornizë) me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe krijon mundësi më të mira të bashkëpunimit afatgjatë të vendit tonë me Qeverinë Federale të Gjermanisë.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka emëruar Beqir Melezxhiun në pozitën e kryeshefit të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Po ashtu, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, Nr. 07/30 i datës 20 maj 2015.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin qeveritar me procedurat e rishikimit të Buxhetit  në Kuvendin e Kosovës, duke bërë të ditur se Projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet e Kuvendit me ndryshime të vogla.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se të gjithë jemi koshient lidhur me kapacitetin e Buxhetit, dhe lidhur me mundësitë tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit. Kryeministri po ashtu e vlerësoi faktin se Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe nxjerrin pastaj nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, ka ngritur para kabinetit qeveritar çështjen e disa problemeve ndaj të kthyerve në disa komuna të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e pronave dhe jetës së qytetarëve si dhe dënimin e akteve të dhunës. “Gjithsesi se ne kërkojmë dhe do të kërkojmë si Qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet. Ne e dënojmë çdo sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Mirëpo, duhet të bashkëpunojmë, duhet të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, të komunikojmë. Unë si kryeministër, dhe të gjithë ministrat, jemi të gatshëm që të jemi në ato mjedise ku mund të kemi probleme të tilla. Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të ndërmerren masa ligjore. Ne mund të zhvillojmë një bisedë të veçantë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe me organet e tjera në mënyrë që të shohin se çfarë masa do të ndërmerren për të krijuar siguri të plotë të qytetarëve tanë. Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si Qeveri, është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të sigurt dhe që mos të ketë probleme të tilla, që nesër problemet mos t’i dallojmë se a po ndodhin ndaj serbëve apo ndaj shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe duhet të ndërmerren masat e tilla”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)