Miratohen në parim propozim amendamentet kushtetuese
Prishtinë, 23 dhjetor - Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, ka miratuar sot në parim propozim-amendamentet kushtetuese, të cilat mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit.
Në mbledhjen e Komisionit, e cila ka qenë e fundit në kuadër të planit të punës, kryetari i Komisionit, Arsim Bajrami, ka sqaruar se këto propozim- amendamente do të rivotohen edhe një herë në janar.
Ky rivotim do të bëhet pasi Komisioni të marrë rekomandimin e Komisionit të Venecias dhe pasi amendamentet e votuara në parim sot, ti nënshtrohen një redaktimi profesional që do të bëhet nga një grup i ekspertëve.
Në kuadër të mandatit Komisioni ka punuar në përgatitjen edhe të ligjit për zgjedhjen e Presidentit. Ky ligj do të jetë gati për tu miratuar në Komision në gjysmën e dytë të muajit janar, kur edhe do të bëhet votimi përfundimtar i propozim- amendamenteve.
Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës, njëzëri ka miratuar kërkesën për mandat të ri me qëllim të rishikimit dhe amendamentimit të Nenit 84 që rregullon kompetencat e Presidentit.
Komisioni, po ashtu, ka shprehur gatishmërinë që në kuadër të mandatit të ri, të shqyrtojë edhe dispozitat kalimtare që ndërlidhën më pavarësinë e mbikëqyrur. Nëse për këtë ekziston vullneti politik.
Propozim-amendamentet kushtetuese, së bashku më projektligjin për zgjedhjen e Presidentit, do të dorëzohen në Kuvend para datës 22 janar, kur edhe përfundon mandati aktual i Komisionit.