Miratohen ligjet për përfundimin e mbikëqyrjes
Prishtinë, 31 gusht - Kuvendi i Kosovës ka bërë të premten shqyrtimin e dytë të projektligjit për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë projektligj janë propozuar 49 amendamente, prej të cilave 29 janë propozuar nga Komisioni ad-hoc për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 16 janë propozuar nga deputetët dhe 6 amendamente janë propozuar nga Komisioni ad-hoc dhe deputetët.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar ligjin me 63 vota për, pa asnjë kundër dhe pa abstenime, por, siç është thënë, pa amendamentet 32, 33 dhe 37, të cilat nuk e morën votimin e dyfishtë, që kërkohet me nenin 81 të Kushtetutës së Kosovës.