Miratohen amendamentet e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit
Prishtinë, 26 mars - Sikurse në mbledhjet paraprake gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilën u shqyrtua Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, mori pjesë kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith.
Për të dhënë kontributin e tyre për harmonizimin e qëndrimeve rreth amendamenteve të propozuara nga Qeveria dhe ICO-ja me ato të Komisionit, në këtë mbledhje, po ashtu morën pjesë edhe zv. kryeministri, Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikim Hapësinor, Dardan Gashi.
Kryetari i këtij Komisioni Nait Hasani, fillimisht shfaqi mospajtim me deklaratat e anëtarit të Komisionit, Liburn Aliu, i cili në një prononcim për media pat deklaruar se gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, anëtarët e Komisionit i janë nënshtruar presionit të kryeministrit Thaçi dhe përfaqësuesit të ICO-së Pieter Feith.
Lidhur me këtë, Hasani vuri në pah faktin se anëtarët e Komisionit kanë qenë të pavarur për të vendosur vetë për amendamentet, ndërkaq deklaratat e Aliut i quajti të pabaza dhe tendencioze.
Anëtari i Komisionit, Aliu, nga ana e tij përsëriti qëndrimin për presion ndaj Komisionit, ndërkaq, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, vendosi të mos marrë pjesë në mbledhje duke e quajtur këtë si proces farsë.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve, me çrast u harmonizuan qëndrimet e Komisionit me propozimet e amendamenteve të Qeverisë dhe ICO-së. Komisioni miratoi amendamentet e Projektligjit, përpos amendamentit 9, i cili rregullon përbërjen dhe kompetencat e Këshillit Monitorues dhe Zbatues (ZKM).
Me miratimin e amendamenteve nga ana e Komisionit, Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, do të procedohet për shqyrtim në mbledhje plenare të Kuvendit të Kosovës.