Minxhozi kërkon dinamizimin e bashkëpunimit me Prizrenin
Prizren, 22 janar - Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vlerësuar se ka pasur lëvizje për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me Komunën e Prizrenit, por njëkohësisht ka theksuar se ato duhet të dinamizohen edhe më tutje.
Ndërsa sa i përket aspektit të inicimit të projekteve të bashkëpunimit rajonal, ambasadori i Shqipërisë ka pranuar se nuk ka hapësirë për të qenë të kënaqur, meqë sipas tij, mund të ishte bërë më tepër në këtë drejtim.
“Kur flasim për bashkëpunimin rajonal duhet ti vëmë më mirë në lëvizje projektet e IPA-s që financohen nga BE-ja. Është shumë e rëndësishme që Prizreni të jetë qendra kryesore e gjithë rajonit, që kap Prizrenin, Hasin, Gjakovën, Tropojën, Hasin e Shqipërisë dhe Kukësin. Ne nuk jemi të kënaqur, mund të ishte bërë më tepër, por këto takime në shërbejnë të shikojmë se si mund ti hedhim hapat në drejtim më të sigurt”, ka thënë Minxhozi, pas takimit të zhvilluar në Prizren, me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, raporton “Koha Ditore”.
Paraprakisht diplomati shqiptar ka bërë të ditur se ka pasur lëvizje në aktivitet e përbashkëta me Komunën e Prizrenit, duke veçuar zhvillimet në fushën e turizmit, pastaj projektin për rivitalizimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë të Zonës së Prizrenit dhe Zonës së Nënshkodrës, si dhe përfundimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrugës që do të lidh Malin e Pashtrikut, i cili projekt është nënshkruar nga dy Qeveritë e shteteve përkatëse.
“Ne do të shikojmë mundësinë që të shtyjmë përpara këtë projekt. Pra janë disa gjëra në lëvizje, por duhet të marrin një impuls më të madh, më të ri. Në këtë punë na nxisin ngjarjet e mëdha historike, siç janë Viti i Skënderbeut dhe 140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, që na japin mundësinë që të bëjmë punë më efikase”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ky vit nuk do të jetë thjeshtë historik, por edhe ekonomik, kulturor e i rritjes së shkëmbimeve.
“Biseduam me kryetarin Haskuka për të rritur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë”, ka theksuar Minxhozi, duke veçuar mundësitë për organizimin e panaireve të përbashkëta, rritjen e qasjes për aktivitet turistike, pastaj përdorimin më efikas të Liqenin të Fierzës, jo vetëm për ta ruajtur nga papastërtitë, por edhe për ta bërë më efektiv për aktivitete të ndryshme turistike.
Ai ka theksuar se brenda 2 ose 3 javësh pritet të hartohet një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta me komunën e Prizrenit, ku përqendrimi kryesor do të jetë në fushën e ekonomisë.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka konfirmuar se me ambasadorin shqiptar ka diskutuar për bashkëpunimin rajonal, ku Komuna e Prizrenit, sipas tij, “mund të luajë një rol të rëndësishëm së bashku me Bashkinë e Kukësit, Hasit, Tropojës, por edhe me Komunën e Gjakovës, sidomos në ekonomi dhe për projektet që mund të financohen nga BE-ja përkatësisht nga fondet e IPA-s”.
Haskuka ka theksuar se ky ka qenë takimi i parë dhe se brenda 2 javëve pritet të organizohet një takim me kryetarin e Kukësit, por edhe komunitetin e biznesit, “që të identifikohen pikat ku mund të bashkëpunojmë dhe cilat janë barrierat ekzistuese”.
Kryetari i Prizrenit ka theksuar se lidhur me 140 vjetorin e Lidhjes dhe Vitin e Skënderbeut janë shqyrtuar mundësitë mbi iniciativat e përbashkëta, “të cilat mund t’i bëjnë bashkë Komuna e Prizrenit, Qeveria e Shqipërisë dhe Ambasada”.