Ministrja Tahiri priti Ambasadoren e Belgjikës, Anick Van Calster
Prishtinë, 10 dhjetor - Ministrja për dialogun Edita Tahiri ka pritur sot Ambasadoren e Belgjikës në Sofie, Anick Van Calster dhe të ngarkuarin me punë të Ambasadës belge në Kosovë, Jean-Francois Brackman.
Në takim është biseduar për prioritetet e Qeverisë së re të Kosovës dhe angazhimet për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, si dhe për procesin e dialogut të Brukselit.
Ministrja Tahiri ka theksuar se formimi i institucioneve të reja, që dolën nga zgjedhjet demokratike të këtij viti, ka hapur një kapitull të ri për qeverisjen e vendit. Qeveria e re do të angazhohet fuqishëm për një shtet euroatlantik të Kosovës në interes të qytetarëve dhe komuniteteve.
Ministrja Tahiri konfirmoi në programin e saj, Qeveria e re ka prioritet dialogun e Brukselit, në kuadër të politikave për integrime evropiane, fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal. Ajo po ashtu foli për rezultatet dhe sfidat e procesit të implementimit duke thënë që pret intensifikimin e dialogut të Brukselit.
Ambasadorja e Belgjikës, Anick Van Calster shprehu urimet për krijimin e Qeverisë së re duke rikonfirmuar se Belgjika do të vazhdoj angazhimet për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe do të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës.
Ajo vlerësoi të rëndësishëm vazhdimin dhe përkushtimin për dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë me Serbinë, si një kontribut për paqen në rajon.