Ministrja Gërvalla priti në takim delegacionin britanez
Prishtinë, 11 korrik - Zëvendëskryeministrja, njëherit Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Schwarz, gjatë ditës së sotme priti në takim delegacionin e përfaqësuesve të Grupit Britanez të Unionit Ndërparlamentar nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, në përbërje të znj. Harriett Baldwin, deputete njëherit Kryesuese e Grupit Britanez të Unionit Ndërparlamentar, Martin Vickers, deputet njëherit i dërguari i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë në Ballkanin Perëndimor si dhe njëherit bashkëkryesues i APPG për Kosovë, Alex Sobel, deputet, njëherit bashkëkryesues i APPG për Kosovë, Luke Pollard, deputet, njëherit ministër në hije për mbrojtje si dhe zëvendëskryesues i APPG për Kosovë, Stephen Doughty, deputet dhe ministër në hije për Evropë dhe Amerika,. Richard Le Vay, udhëheqës i politikës së brendshme dhe komunikimit në Ambasadën Britaneze në Prishtinë dhe Holly Sloan, menaxhere e projekteve ndërkombëtare.
Poashtu, në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore z. Ilir Kapiti.
Në kuadër të këtij takimi u diskutuan tema aktuale politike të nivelit vendor, rajonal dhe ndërkombëtar dhe poashtu tema rreth bashkëpunimit të ngushtë në fushën e ekonomisë dhe sfera të tjera.
Me ç’rast theks të veçantë patën diskutimet rreth përpjekjeve të përbashkëta në fushën e sigurisë për të parandaluar çfardo situate destabilizuese, përpjekjet e përbashkëta dhe kontributin rreth masave ndaj Federatës Ruse me rastin e invazionit në Ukrainë.
Pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe sfera të tjera që kanë për qëllim avansimin e numrit të investimeve dhe njëherit thellimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
Çështje tjetër e diskutimit ishte edhe Agjenda e Gjelbër dhe energjia diellore.
Si rrjedhojë e këtij takimi u pa gatishmëria për bashkëpunim dhe përkrahje sa i përket konsolidimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës si dhe në integrimin në Organizata dhe mekanizma të tjerë Ndërkombëtar.
Në kuadër të agjendës së takimit të sotëm Zëvendëskryeministrja, njëherit Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Schwarz shoqëroi delegacionin tek Memoriali “Heroinat”, i cili portretizon të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999 dhe kontributin e tyre në historinë e vendit.