Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz udhëtoi për vizitë zyrtare në Gjermani
Berlin, 12 tetor - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, ka udhëtuar drejt Berlinit për vizitë zyrtare me ftesë të ministres së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Annalena Baerbock.
Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani ministrja Gërvalla-Schwarz do të zhvillojë takim me homologen e saj gjermane znj. Baerbock, ku do të do të diskutohet për fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me Republikën Federale të Gjermanisë, integrimin evropian dhe përcaktimin properëndimor të Republikës së Kosovës, për aspiratat euro-atlantike të shtetit të Kosovës.
Po ashtu temë e takimit ndërmjet dy ministreve të jashtme të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë do të jenë edhe reformat e nisura në vend, situata politike dhe e sigurisë në Evropë.
Mes tjerash ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz me ministren e Jashtme të Gjermanisë, znj. Annalena Baerbock do të bisedojë për sfidat energjetike që i ka rajoni dhe Evropa, për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve si dhe për mërgatën nga Republika e Kosovës në Gjermani si një urë lidhëse kulturore, ekonomike mes dy republikave mike.