Ministria kërkon të shmanget pika kufitare në Merdar
Prishtinë, 4 korrik Ministria e Diasporës kërkon nga mërgimtarët që të shmangin pikën kufitare në Merdar për shkak të pritjeve të gjata që mund të krijohen si rezultat i punimeve që po kryhen për ndërtimin e terminalit të ri.
Po ashtu, ministria kërkon nga mërgimtarët që paraprakisht të konsultojnë ueb-faqen e ministrisë para se të nisen për vendlindje.
Meqë tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, Ministria e Diasporës u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë vebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes, thuhet në një komunikatë të MD-së.
Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje.
Për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit që ndodh në Merdar gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ajo pikë kufitare mund të jetë më problematikja sa u përket pritjeve, andaj Ministria e Diasporës, në konsultim me Policinë e Kosovës, rekomandon që, aq sa ka mundësi, të shmanget ajo pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare, thuhet më tej në komunikatë.
Po ashtu Ministria lut mërgimtarët që për çfarëdo problemi ose halli që mund tu paraqitet gjatë rrugës, ti njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Zyrën e Kosovës në Beograd në +38166247743 dhe [email protected], por edhe Ministrinë e Diasporës në [email protected].