Ministria e Jashtme “shkarkon” 13 ambasadorë të emëruar politikisht
Prishtinë, 20 maj - Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, i është dërguar propozim për tërheqje dhe lirim nga detyra të të gjithë ambasadorëve të cilët, sipas qeverisë, janë të emëruar politikisht, ka deklaruar Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.
Ahmeti ka dhënë një shpjegim në Facebook lidhur me rastin e lirimit nga detyra të ambasadorit të Kosovës në Gjermani.
“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se për këtë rast nesër do të deklarohet më detajisht ministrja Donika Gërvalla.
“Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, shtoi ai.