Ministria e Drejtësisë përfiton nga Projekti i Binjakëzimit të IPA
Prishtinë, 7 tetor - Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri, sot ka marrë pjesë në hapjen e Projektit të Binjakëzimit të IPA 2012 me temë Fuqizimi i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Kosovës, projekt ky i financuar nga Zyra e Bashkimit Europian i cili ka për qëllim të forcojë menaxhimin efektiv dhe efikas të Shërbimit Korrektues (SHKK) dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK).
Zëvendësministri Ymeri, tha se Zyra e BE-së ka qenë një ndër partnerët kryesorë të Ministrisë së Drejtësisë në realizimin e një sërë projektesh qëllimi i të cilave përgjithësisht ka qenë rritja e efikasitetit në punë si dhe forcimi i sundimit të ligjit në përgjithësi.
Ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për SHKK dhe SHSK, por për tërë sistemin e drejtësisë. Sa herë mendohet për drejtësinë dhe luftimin e kriminalitetit fokusi qendror i jepet punës së prokurorive dhe gjykatave në ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve.\"
\"Por SHKK dhe SHSK janë hallka kyçe e sistemit të drejtësisë me të cilat kompletohet hierarkia e drejtësisë së një vendi. Nuk mund të ketë sistem të drejtësisë efikas pa një Shërbim Korrektues efikas i cili kontribuon në rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve pas përfundimit të dënimit ka thënë Ymeri.
Në hapjen e këtij projekti ka marrë pjesë, Udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Christof Stock, Zëvendës Ambasadorja e Francës, Lise Moutoumalaya si dhe Udhëheqësi i Projektit të Binjakëzimit, Peter Best të cilët theksuan rëndësinë e zbatimit të këtij projekti i cili sipas tyre ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe zbatimin e praktikave më të mira të BE-së në fushën e shërbimeve korrektuese dhe sprovuese brenda strukturave përkatëse në Kosovë, sigurimi i nevojshëm i sistemeve të menaxhimit të të dhënave si dhe përmirësimin e lidhjes së planeve dhe programeve për ri-integrim dhe ri-socializim.