Ministria e Drejtësisë merr mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian
Prishtinë, 9 gusht - Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi priti në një takim Christof Stock, Udhëheqës i operatives në Zyrën e Bashkimit Evropian (ZBK) në Kosovë.
Fillimisht në takim u diskutua çështja e fillimit të projektit Twinning në Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, me ç`rast Ministri Kuçi adresoi nevojën e fillimit sa më parë të këtij projekti.
Ministri Kuçi ka falënderuar ZBK-në për bashkëpunim jashtëzakonisht përmbajtjesor në projektet Twinning në Ministrinë e Drejtësisë. Në takim është diskutuar rreth themelimit të Akademisë së Drejtësisë.
Gjithashtu Ministri Kuçi ka shprehur rendësin e ngritjes së cilësisë në fushën e arsimimit juridik, duke themeluar Akademinë e Drejtësisë si institucionin kryesor arsimor në këtë fushë.
Ne dëshirojmë që të ngrisim kapacitetet e Institutit Gjyqësor të Kosovës në një Akademi, e cila do të merrej me arsimimin e të gjitha kategorive arsimore në fushën juridike. Me këtë rast do të dëshiroja të kishim propozime nga Zyra e BE-së se cili model do të ishte më i përshtatshmi nga shtetet e Bashkimit Evropian theksoi Kuçi.
Nga ana tjetër, Stock theksoi gatishmërinë e ZBE-së që të ofrojë ekspertizë në ndërtimin e një modeli të përshtatshëm për Kosovën, mbi bazën e asaj që është ndërtuar në Institutin Gjyqësor të Kosovës.
Të dy palët janë pajtuar që të vazhdojnë në nivel të ekspertëve ta zhvillojnë idenë e Akademisë së Drejtësisë dhe hartimit të Ligjit mbi Akademinë e Drejtësisë, si hap final për këtë vit.
Ministri Kuçi kërkoi nga Stock që të ofrojnë ekspertizë në dhënien e një vlerësimi final nëse Pakoja Legjislative e Gjyqësorit është në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së.
Edhe pse në Komisionin për hartimin e ligjeve të gjyqësorit janë duke punuar ekspertë nga BE-ja, do të kishim dashur që të kemi një vërtetim nga ana e BE-së që kjo pako ligjesh është në harmoni me legjislacionin e BE-së tha Kuçi.
Ministri Kuçi dhe Stock janë pajtuar që të mbikëqyrin në mënyre të vazhdueshme ecurinë e punëve në Pallatin e Drejtësisë.