28 Prill 2024

Ministria e Drejtësisë licencon 87 ndërmjetësuesit e parë

Prishtinë, 26 shtator - Sot në një ceremoni, Ministria e Drejtësisë ka licencuar 87 ndërmjetësit e parë në Republikën e Kosovës të cilët do të merren me problemet mes njerëzve, ngatërresat e ndryshme, që dikur janë zgjidhur nëpër oda, tani e tutje do të do të zgjidhen në bazë të ligjit. 

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se Ministria do të mbajë ndërmjetësimin si një nga prioritetet e saj dhe do të ndihmoi në zbatimin e tij si formë alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Ai shtoi se kjo ceremoni zyrtare është dëshmi e fuqishme se institucionet kosovare dhe me përkrahjen e miqve ndërkombëtar, mund të ndikojnë praktikisht dhe pozitivisht në përmirësimin e ambientit ku jetojmë, qasjes në drejtësi dhe në krijimin e besimit më të mirë në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili pasi përgëzoi ndërmjetësit për licencim, kërkoi nga ta të jenë të përkushtuar në punën e tyre, që sipas tij nuk është punë që shkon vetëm në të mirën e ndërmjetësve dhe palëve në ndërmjetësim, por edhe në të mirën e tërë shoqërisë kosovare.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ofroi përkrahje për institucionin e ndërmjetësimit me anë të referimit të lëndëve në këtë institucion, në përgatitjen e ndërmjetësve dhe edukimin e gjyqtarëve.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani, tha se krijimi i institucionit të ndërmjetësimit është pjese e përpjekjeve për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë.

Përveç licencimit të ndërmjetësve, Ministra e Drejtësisë sot ka ndarë mirënjohje edhe për UNDP-në, Programin SEAD të USAID-it, Projektin e Binjakëzimit, Partners Kosova, CSSP-në, ARTC-në, UNICEF-in, Ambasadën zvicerane dhe atë norvegjeze, të cilat kanë mbështetur krijimin e institucionit të ndërmjetësimit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka vlerësuar se puna e ndërmjetësve do të lehtësojë edhe punën e gjykatave, ndërkohë ka thënë se gjykatat në Kosovë kanë nevojë për ngritjen e kapaciteteve në fushën e ndërmjetësimit.

“Ne do të përkrahim ndërmjetësimin dhe referimin e lëndëve në ndërmjetësim në përgatitjen e ndërmjetësve, dhe edukimin e gjykatësve që janë më qenësorë dhe kryesorë në të ardhmen. Gjykatat e Kosovës kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve në fushën e ndërmjetësimit ashtu që ta kuptojmë natyrën e ndërmjetësimit, procesin e referimit, parimet dhe procedurën e referimit”, ka thënë Peci.

Ndërkaq Avdyl Hoxha në emër të ndërmjetësuesve, ka bërë apel që tash e tutje ndërmjetësimi të bëhet vetëm në bazë të ligjit.

“Unë vijë prej një familje nga Juniku, Oda e Junikut, e cila është marrë në këtë lëmi, por në një mënyrë krejt tjetër, në mënyrë tradicionale dhe për herë të parë apeloj tek të gjithë ndërmjetësuesit që të gjitha ndërmjetësimet të bëhen në bazë të ligjit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, kurse traditën tonë të mëhershme t’ia lëmë historisë dhe t’ia lëmë punëtorëve shkencorë të merren me atë material”, ka thënë Hoxha.

Në mesin e ndërmjetësuesve, një numër i konsiderueshëm i tyre janë femra, gjë që sipas ndërmjetësuesit me traditë, Avdyl Hoxha, do të ndikojë pozitivisht në arritjen e rezultateve më të mira në fushën e ndërmjetësimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)