Ministria e Drejtësisë do të mbështesë noterët
Prishtinë, 23 prill - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës, Arbena Shehu, u takuan me noterët e emëruar të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim të karakterit njohës me noterët, Ministri Kuçi tha se fillimi për herë të parë i sistemit të noterisë në Republikën e Kosovës i ka përparësitë e veta, por mund ti ketë edhe mangësitë e vet.
Ju do ta keni mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë, besoj edhe të Odës së Noterëve të mos bëni lëshime në kuptimin e eksperiencës së duhur. Ne do vendosim kontakte edhe me Odat e Noterëve të rajonit dhe me gjerë, që ta shohim si është mënyra më e mirë e funksionimit të këtij sistemi, tha Kuçi.
Po ashtu, Ministri Kuçi tha se do të fillon një kampanje për ti njoftuar qytetarët, njëherësh ftoi noterët dhe Oden e Noterëve, që bashkërisht të marrin pjesë, të bisedojnë dhe ti njoftojnë qytetarët se cili është roli i noterëve. Ai shtoi se është e nevojshme që në formë të broshurave, emisioneve televizive, por edhe kontakteve tjera, ti njoftojnë qytetarët për shumë gjëra që do të shkarkohen nga gjykatat dhe që do të jetë shumë më mirë për shërbimet e tyre.
Ndërsa, Kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës, Arbena Shehu tha se shërbimi i noterisë është një prej zhvillimeve më të rëndësishme të Sistemit të Drejtësisë në Kosovën e pasluftës.
Shërbimet noteriale do të bëj në një sistem ligjor më efektiv, si dhe do ndikojnë dukshëm në rritjen e efikasitetit të punës tek gjykatat e Kosovës, pasi që një pjesë e madhe e punëve që kryhen momentalisht nga to, do kalojnë në kompetencë të Noterëve dhe me këtë rast nga sistemi noterial në Kosovë do të përfitojnë më së shumti qytetarët e saj, tha Shehu.
Të gjithë noterët e emëruar pritët që të premten me 27 Prill 2012, në një ceremoni që do të organizohet nga Ministria e Drejtësisë të bëjnë betimin.