Ministri Yagcilar e njoftoi ambasadorin Amerikan me prioritetet e MAP-it
Prishtinë, 3 tetor - Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ku kanë biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes të dy institucioneve.
Ministri Yagcilar, fillimisht shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për sulmin terrorist në Las Vegas duke thënë se ne, në këto ditë të vështira, e ndajmë pikëllimin me popullin amerikan dhe solidarizohemi me shtetin amerikan.
Ministri Yagcilar e falënderoi ambasadorin amerikan për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve gjatë tërë proceseve të shtet ndërtimit të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Ministri Yagcilar e njoftoi ambasadorin Amerikan me prioritetet e MAP-it, duke nënvizuar projektet e rëndësishme sikur trajnimet e shërbyesve civilë, racionalizimin e institucioneve të gjyqësorit, proceset e rekrutimit, përfaqësimin e komuniteteve, bashkëpunimin me MCC-n në fushën e e-Qeverisjes.
Me këtë rast ministri Yagcilar shprehu mirënjohje për partneritetin me USAID-in, dhe falënderoi për programin e trajnimit të shërbyesve civilë, në bashkëpunim me universitetin e Amerikës, duke shtuar se programet të tilla janë të rëndësishme për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve.
Ambasadori amerikan Greg Delawie, falënderoi ministrin Yagcilar për ngushëllimet ndaj sulmit të tmerrshëm në Las Vegas, dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për institucionet e Republikës së Kosovës.
Ambasadori, mes tjerash, vuri theksin edhe në përfaqësimin e komuniteteve pakicë në institucione dhe tha se ky përfaqësim i komuniteteve do të vazhdojë.