Ministri Sveçla priti në takim lamtumirës ambasadoren, Marie Christine Butel
Prishtinë, 21 shtator - Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.
Në këtë takim, ministri Sveçla e falënderoi ambasadoren Butel për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj në Kosovë e veçanërisht për rolin e saj aktiv në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të Agjencive Ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ambasadorja znj. Butel vlerësoi lartë angazhimin tonë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, e në veçanti falënderoi Ministrin për gatishmërinë e ofruar për ndihmë në menaxhimin e zjarreve me të cilat janë ballafaquar tërë Europa.
Republika e Francës dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe Ministri Sveçla ritheksoi se do të angazhohemi në thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve.
Me rastin e përfundimit të misionit të saj tre vjeçar në Republikën e Kosovës, Ministri Sveçla i uroi suksese në angazhimet e mëtutjeshme Ambasadores znj. Marie Christine Butel.