Ministri Rexhepi thirret në interpelancë
Prishtinë, 2 prill - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, ka thirrur në interpelance ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sipas kërkesë së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dyshimet për keqpërdorimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë Kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake (OESD).
Në këtë interpelancë parashihet edhe votimi i një mocioni që i kërkohet kryeministri të vendit, Hashim Thaçi shkarkimin e ministrit Rexhepi. Por mbetet të shihet se a do të përkrahet ky mocion nga gjitha partitë opozitare.
Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se debati jep rezultatin e vet, duke mos përjashtuar mundësinë që edhe ai të jetë pjesë e këtij debati.
Ne bisedojmë, debati i jep rezultatin se çka mendojmë, pjesë e debatit mund të jem edhe unë, ka theksuar Krasniqi.
Një mocion i tillë që pritet të votohet parasheh edhe shkarkimin e ministri Rexhepi, ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se dihen procedurat kush emëron ministrat dhe kush i shkarkon.
Madje ai ka kërkuar që kërkesat për debat të jenë me një koncept të qartë orientues, njëherë duke kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit që mos të lejojë asnjë që është në kundërshtim me pikën e rendit të ditës.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së, është që në parlament të përdoret gjuha parlamentare jo fyese, provokuese mes të deputetëve.
Grabovci thotë që nuk ka akuzuar apo fyer ndonjëherë në mikrofonin e Parlamentit të Kosovës.
Por kur është pyetur se para disa javësh ai ju kishte drejtuar deputetëve të LDK-së me fjalën mos u zgërdhini, ai e ka quajtur këtë si një shprehje.
E shefi Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë që i përmbahet gjithmonë gjuhës parlamentare, dhe jo sikur kolegu i tij Grabovci.
Mua mos më pyetni për gjuhën parlamentare se unë i përmbahem gjithë, ndërsa atë nuk u dashtë me pyetur se ai përmbahet a jo e dini ju më mirë edhe nuk kam çka i them kësaj tjetër, ka deklaruar Beqiri.
Ndërsa, i pyetur se a do të përkrahin mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e ministrit, Rexhepi, Beqiri ka thënë se do të përkrahin këtë mocion.
Unë besoj që do të votojmë që të ndërmerren masa në këtë ministri e në këtë rast edhe rreth ministrit. LDK-ja është e vetëdijshme që emërimin dhe shkarkimin e ministrave e bënë zotëri Thaçi, por ne do të bisedojmë më grupin parlamentar dhe do të kemi qëndrimin që besoj është ky që e thash tani, ka theksuar ai.
Ndryshe, në seancën e së enjten do të jetë vazhdimi i seancës aty ku ka mbetur, për të vazhduar me pas me seancën e re, ku do të jetë interpelanca për ministrin Rexhepi dhe dy ligjeve në lexim të dytë.
Ndërsa në seancën e së premten janë tri debate parlamentare që kanë ardhur si kërkesë e Grupit Parlamentar të LDK-së.