02 Maj 2024

Ministri Rexhepi, raportoi sot në Komisionin për Integrime Evropiane

Prishtinë, 5 mars - Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, raportoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Me këtë rast, kryetari i komisionit Lutfi Haziri, sqaroi fillimisht se Komisioni për Integrime Evropiane, ka filluar me monitorim aktiv të ministrive, mbi progresin e arritur.

Ai sqaroi se komisioni do të bëjë vlerësimin e progresit të arritur në bazë të agjendës evropiane. Kjo, sipas tij, lidhet me përgatitjen e raportit të parë për këtë vit, nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtij takimi nga ministri i Punëve të Brendshme u kërkuan sqarime të shumta  lidhur me progresin e arritur nga kjo ministri, me theks të veçantë për angazhimet në sigurinë e  dokumenteve, menaxhimin e integruar të kufijve, politikat e migracionit, si dhe për angazhime tjera konkrete të cilat i ka ndërmarrë kjo ministri.

Gjatë raportimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha fillimisht se prioritet i të gjitha institucioneve është që të kenë rezultate sa më të mira për këtë vit dhe që Raporti i Progresit të jetë sa më pozitiv.

Ai theksoi se ministria të cilën e përfaqëson ai menjëherë pas publikimit të raportit të KE-së, ka ndërmarrë një sërë veprimesh, duke përmendur obligimet që janë nxjerrë në  bazë të Planit të Veprimit. Ndërkaq, shprehu optimizmin e tij se gjatë këtij viti do të ketë raport më të mirë.

Anëtarët e Komisionit, kërkuan sqarime shtesë nga ministri lidhur me veprimet që ka ndërmarrë kjo ministri për gjendjen në Veri të vendit, si dhe kontrabandën në këtë pjesë. Po ashtu, sqarime kërkuan edhe lidhur me marrëveshjet për ripranim, si dhe për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar.

Tutje, anëtarët e komisionit  paraqitën vërejtje për shtyllën operacionale të Policisë së Kosovës. Madje, disa nga anëtarët e komisionit, shfaqen kritikat e tyre, me theks të veçantë për protokollin e Policisë së Kosovës. Po ashtu, nga ai u kërkua që MPB-ja të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë lidhur me çështjen për mbrojtjen e pyjeve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, ministri Rexhepi, sa i përket çështjes së veriut tha se kjo pjesë mbetet sfidë për vendin, duke shtuar se për çdo veprim kërkohet koordinim me faktorin ndërkombëtar, ndërsa, foli edhe për veprimet që po ndërmarrë MPB-ja, lidhur me aktivitetin ilegal të MUP-it  në veri.
Më tej, gjatë raportimit të tij në komision, ai tha se ka një numër të madh të policisë që i kryejnë detyrat me përkushtim, megjithatë shtoi se ka edhe persona që janë të trashëguar nga e kaluara.

Duke theksuar se ka pasur disa aksione që janë ndërmarrë në këtë pjesë, tha se aksione të tilla do të vazhdohen edhe në të ardhmen. Sipas tij në bashkëpunim me EULEX-in gradualisht janë duke bërë evidentimin, reformat dhe respektimin  e zinxhirit komandues.

“Ky është proces dhe prioritet i lartë yni, meqë policia duhet ta kryejë detyrën në mënyrë profesionale dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, me qëllim që të implementohet rendi dhe ligji në vend”, tha Rexhepi, duke shtuar se pretendimet e MPB-së janë që ta pastrojnë policinë dhe vendi të ketë polici profesionale.

Sa i përket kontrabandës në këtë pjesë,  ministri Rexhepi tha se është zvogëluar kontrabanda, meqë janë shtuar kontrollimet nga ana e doganierëve dhe policisë, ndërsa potencoi faktin se çështja e krimit ekonomik do të minimizohet.

Pas raportimit të ministrit Rexhepi në komisionin parlamentar për integrime evropiane,  anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën këto projektligje, me amendamentet e komisioneve funksionale,  nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së:

Projektligji nr. 04/L-97 për Bibliotekat në Republikën e Kosovës, Projektligji nr. 04/L- 94 për shërbimet e shoqërisë informatike, Projektligji nr. 04/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-222 për administratën tatimore dhe procedurat , si dhe Projektligji nr. 04/L-80 për lojërat e fatit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)