Ministri Rexhepi po qëndron për një vizitë zyrtare në Francë
Prishtinë, 21 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Francës.
Gjatë kësaj vizite, ministri Rexhepi është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Claude Gueant.
Gjatë këtij takimi, ministri Bajram Rexhepi falënderoi Qeverinë e Republikës së Francës për kontributin dhe ndihmën e dhënë për Republikën e Kosovës.
Falënderoj Qeverinë dhe popullin francez për kontributin dhe ndihmën e dhënë gjatë gjithë këtyre viteve për Kosovën, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri francez, Claude Gueant, i premtoi ministrit Rexhepi se Republika e Francës do të jetë një avokat i fuqishëm i Kosovës në Bashkimin Evropian, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave.
Në këtë takim, është diskutuar për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e Policisë së Kosovës me EULEX-in si dhe për sundimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Francë, ministri Rexhepi ka realizuar takime me parlamentarë të Republikës së Francës si dhe njerëz të botës akademike.