Ministri Nishani vlerësoi ndërhyrjen në veri të domosdoshme
Tiranë, 8 gusht - Ministri Nishani vlerësoi ndërhyrjen profesionale të forcave policore të Kosovës në aksionin e ditëve të fundit për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të Kosovës.
Një vlerësim të tillë Nishani e ka bërë gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, në Tiranë.
Ai theksoi se rendi, siguria dhe sundimi i ligjit janë garanci e demokracisë dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Angazhimi i forcave tuaja policore u krye në respekt të Kushtetutës së një vendi sovran, me profesionalizmin e duhur të një force policore demokratike dhe me vullnetin e plotë për zbatimin e ligjit. Ai i dha mesazh popullit të Kosovës që ligji qëndron mbi gjithçka dhe ne ndihemi mirë që një shtet i ri po konsolidon institucionet e tij ligjzbatuese, u shpreh në takim Ministri Nishani.
Ministrat u shprehën se grupet kriminale dhe trafikantët nuk njohin kufij dhe janë gjithmonë e më të sofistikuar.
Përballë këtij sofistikimi të krimit kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim më i ngushtë i veprimeve mes forcave tona policore, nënvizoi ministri Nishani.
Andaj sipas dy ministrave të Punëve të Brendshme Nishani e Rexhepi forcimi i rendit, sigurisë dhe lufta ndaj krimit si në Shqipëri dhe në Kosovë janë kontribut i drejtpërdrejtë edhe për sigurinë në rajon e më gjerë.