Ministri Mauro shpreh gatishmërinë e Italisë për ta ndihmuar FSK-në
Prishtinë, 16 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, Mario Mauro, i shoqëruar nga ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, zotëri Andreas Ferrarese dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart ndihmën që Italia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës në të gjitha periudhat, duke theksuar posaçërisht ndihmën e dhënë përmes pjesëmarrjes së trupave italiane në forcën paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.
Presidentja Jahjaga theksoi se KFOR-i vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe gjithashtu edhe në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Ajo tha se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë është shumë i mirë dhe theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shënuar përparime të theksuara si shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm si promovues i fqinjësisë së mirë.
Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është përparësi e institucioneve të vendit dhe theksoi se ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n, përmes Partneritetit për Paqe, do të ndihmonte edhe në ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe gjithë rajonit.
Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Italisë në procesin e integrimeve euro-atlantike do ta ndihmonte Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Italisë, Mario Mauro, vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e Italisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për ta ndihmuar përgatitjen profesionale të FSK-së.
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Italisë, z. Mario Mauro në bisedë me Presidenten Jahjaga u interesua edhe për proceset e tjera nëpër të cilat po kalon Kosova.