Ministri Krasniqi fillon vizitën zyrtare në Izrael
Prishtinë, 13 shtator - Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, me ftesën e Ministrit për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej, do të qëndroj në një vizitë zyrtare në Izrael, ku do të realizoj takime me zyrtarë shtetëror nga Izraeli për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy shteteve.
Ministri Krasniqi, vizitën zyrtare në Izrael e filloi duke u pritur në takim nga Ministri për Bashkëpunim Regjional, Esawi Frej.
Gjatë këtij takimi, Ministri Krasniqi dhe Ministri Frej diskutuan për bashkëpunimit në mes të dy vendeve, raportet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik lokal dhe qeverisjes lokale.
Ministri Krasniqi, e ka falënderuar Ministrin Frej për ndihmën e Shtetit të Izraelit dhënë për popullin e Kosovës duke shprehur mirënjohjen e thellë dhe gatishmërinë për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite Ministri Krasniqi, ka vizituar Qendrën Përkujtimore të Holokaustit, në nderim të viktimave të gjenocidit famëkeq të shekullit XX.