Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi po viziton Kosovën
Besimi, siç raporton MIA, do të takohet me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) Agim Çeku, me komandantin e FSK-së, gjeneral nënkolonelin Kadri Kastratin dhe me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Hajredin Kuçin.
Përmes kësaj vizite pritet që të konfirmohet angazhimi i dy ministrive që të vazhdojnë edhe më tej të bashkëpunojnë, si në nivel bilateral, ashtu edhe në suaza të iniciativave rajonale.
Në suaza të vizitës është paraparë nënshkrimi i Planit për bashkëpunim bilateral për vitin 2012, me të cilin janë paraparë mundësitë për shfrytëzim të kapaciteteve të disponueshme të Maqedonisë: Poligoni Krivollak, Qendra trajnuese rajonale për komunikime dhe Qendra ushtarake medicinale, si dhe shkollimi i kadetëve nga Kosova në Akademinë ushtarake në Shkup.
Me rëndësi prioritare në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë është arritja e dialogut plotësisht të hapur dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Republikën e Kosovës, si dhe arritja e nivelit të lartë të bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë së të dy vendeve.
Ministri Besimi, siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, do të theksojë se zhvillimi dhe mbajtja e kapaciteteve rajonale duhet të bazohet në konceptin e "smart defence" (mbrojtje e mençur), me qëllim bashkimin dhe ndarjen e mjeteve të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë do ta vizitojë edhe Qendrën për studime universitare së Forcave të sigurisë së Kosovës në Komandën e ushtrisë tokësore.