Ministri i Jashtëm Selimi priti një delegacion të MPJ-së së Estonisë
Prishtinë, 14 prill Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot një delegacion nga Republika e Estonisë, kryesuar nga Mart Laanamae, Nën-sekretar për Evropë dhe Marrëdhënie Transatlantike.
Ministri i Jashtëm Selimi falënderoi Estoninë për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, si përmes marrëdhënieve ekzistuese intensive bilaterale, ashtu edhe në kuadër të organizatave multilaterale. Ai po ashtu e informoi delegacionin estonez për angazhimet e institucioneve të Kosovës, prioritetet e politikës së jashtme, kontributin në luftën globale kundër terrorizmit dhe aspiratën për përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ndërkaq, z. Laanamae vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe ritheksoi mbështetjen e fuqishme të shtetit estonez dhënë Kosovës, ndër të tjera edhe për të drejtën e lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.